Skip to content
Kryesore

Dhuna, bullizimi dhe shëndeti mendor janë shqetësimet më të mëdha të fëmijëve shqiptarë sot

· 3 min lexim

Dhuna, bullizimi dhe mungesa e mbështetjes për shëndetin mendor janë shqetësimet kryesore që kanë ngritur fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë gjatë konsultimeve për hartimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027-2030.

Dokumenti përmbledh rezultatet e konsultimeve me 74 fëmijë dhe adoleshentë të moshës 13 deri në 18 vjeç nga disa zona të vendit, të cilët kanë identifikuar problemet që, sipas tyre, duhet të jenë prioritet për politikat publike në vitet e ardhshme.

Sipas analizës, tema që dominoi diskutimet ishte dhuna ndaj fëmijëve. Pjesëmarrësit e cilësuan bullizimin si formën më të përhapur të dhunës, duke theksuar se ai shfaqet në shkolla, në komunitet dhe gjithnjë e më shumë edhe në hapësirën digjitale.

Raporti evidenton se shumë fëmijë vazhdojnë të mos denoncojnë rastet e dhunës. Ata e lidhin këtë me frikën nga paragjykimi, mungesën e besimit se situata mund të ndryshojë, si edhe me mosnjohjen e mekanizmave për raportimin e rasteve.

“Ndonjëherë është më e vështirë të kërkosh ndihmë sesa të përballosh problemin”, është një nga mesazhet e përcjella nga fëmijët gjatë konsultimeve.

Përveç masave ndëshkuese ndaj autorëve të dhunës, ata kërkojnë më shumë edukim për marrëdhënie të shëndetshme, mbështetje emocionale dhe politika parandaluese që adresojnë problemin që në fazat e hershme.

Një tjetër çështje që zuri një vend qendror në diskutime ishte shëndeti mendor. Fëmijët e konsiderojnë mbështetjen psikologjike si një element thelbësor për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre dhe kërkojnë rritjen e numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla dhe komunitete.

“Kur kemi një problem emocional, nuk duhet të ndihemi sikur jemi vetëm”, thuhet në një tjetër mesazh të përfshirë në dokument.

Gjatë konsultimeve u kërkuan gjithashtu shkolla më mbështetëse, më shumë aktivitete sportive dhe kulturore, si edhe krijimi i hapësirave të sigurta ku fëmijët të mund të shprehin lirshëm shqetësimet e tyre.

Në përfundim të procesit, vetë fëmijët renditën pesë prioritetet kryesore për periudhën deri në vitin 2030: pjesëmarrje reale në vendimmarrje, parandalimin e të gjitha formave të dhunës, më shumë mbështetje psikosociale, arsim cilësor të lidhur me mirëqenien dhe një mjedis digjital të sigurt.

Mesazhi përmbyllës i tyre është i qartë:

“Duam të jetojmë në një Shqipëri ku ndihemi të dëgjuar, të sigurt, të mbështetur dhe të respektuar çdo ditë.”