Vrasja e Eglant Koçit, Prokuroria kërkon këqyrjen e kompjuterëve të Armand Shakajt, dyshimet lidhen edhe me transfertat në kriptovaluta

Hetimet për vrasjen makabre të Eglant Koçit vijojnë, ndërsa autori i dyshuar, Armand Shakaj, mbetet ende në arrati. Edhe pse është pikasur në disa momente në rrugët e Tiranës, ai ka arritur t’i shpëtojë policisë, duke mbajtur ende të hapur kërkimet për kapjen e tij.
Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik për shkak të mënyrës së ekzekutimit dhe faktit se viktima dyshohet se u vra nga një person që e njihte. Eglant Koçi u gjet i pajetë, ndërsa hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime se pas krimit mund të fshihen konflikte të lidhura me para dhe transferta në kriptovaluta.
Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hap të ri në hetime, duke i kërkuar Gjykatës Penale leje për të këqyrur katër kompjuterë të sekuestruar në zyrën e Armand Shakajt, i dyshuar si autori i vrasjes.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një nga pistat që po verifikohet është ajo e vrasjes për shkak të transfertave në kriptovaluta, një aktivitet me të cilin Koçi merrej prej kohësh. Hetuesit pritet të analizojnë pajisjet elektronike për të zbardhur komunikimet, lëvizjet financiare dhe çdo të dhënë tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e motiveve të krimit.
Megjithatë, nga të dhënat e bëra publike deri më tani, Eglant Koçi nuk rezultonte të kishte të ardhura të mëdha. Ai bënte një jetë normale, çka e bën edhe më të paqartë pistën e një konflikti të mundshëm financiar me përmasa të mëdha.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për Armand Shakajn, ndërsa Prokuroria po përpiqet të ndërtojë të plotë dinamikën e ngjarjes dhe arsyet që çuan në vrasjen e rëndë.