Në kulmin e protestave për dorëheqjen, Rama sulmon sërish qytetarët: Shqipërinë nuk ma mësojnë sharlatanët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestës qytetare që prej javësh zhvillohet para Kryeministrisë, ku mijëra shqiptarë kërkojnë dorëheqjen e tij. Në një deklaratë në podcastin “Flasim”, ai përdori tone të ashpra ndaj kritikëve dhe protestuesve, duke deklaruar se nuk pranon “sharlatanë” apo “hipokritë” që t’i tregojnë se si duhet të qeveriset Shqipëria.
Rama tha se protesta që e shqetëson është ajo e qytetarëve që dalin në shesh për shkak të problemeve reale, ndërsa shtoi se një pjesë e pjesëmarrësve ndikohen, sipas tij, nga rrjetet sociale, influencerët, impulset nacionaliste apo manipulimet.
“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron po ashtu, që më motivon të vijoj luftën time. Nuk më zemëron protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit, kjo më zemëron. Nëse nuk do të isha në vendin tënd i dashur Amos, do të isha edhe vetë në protestë. E ndjej zemërimin tënd. Jo çdokush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste, manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehet në zemërim e që më pas shpërthen”, u shpreh ai.
Kryeministri u ndal edhe te kritikat që merr në rrjetet sociale dhe në debatet publike, duke paralajmëruar se do t’u përgjigjet të gjithë atyre që, sipas tij, e sulmojnë.
“Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranoj që çdo sharlatan apo njeri i futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë, të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria. Këtë nuk e pranoj”, deklaroi Rama.