Tre eurodeputetet europiane në Tiranë për protestën: Do dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe do ta çojnë në Bruksel

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama po merr gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, pas reagimeve dhe angazhimit të tre eurodeputeteve të Parlamentit Europian për “Revolucionin e Flamingove”.
Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar protestës qytetare, e cila pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme. Ajo ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se gjatë kësaj fundjave do të marrë pjesë në demonstrata dhe do të takohet me qytetarë e aktivistë të përfshirë në lëvizje.
“Sapo mbërrita në Tiranë, Shqipëri. Këtë fundjavë do të jem këtu duke marrë pjesë në demonstrata dhe duke takuar njerëzit dhe aktivistët që po i japin jetë kësaj lëvizjeje të jashtëzakonshme popullore. Do t’ju mbaj të përditësuar”, shkruan eurodeputetja italiane.
Ndërkohë, mbështetje për protestën ka shprehur edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila ka paralajmëruar pjesëmarrjen e saj në protestat në Tiranë në vijim. Në qëndrimet e saj publike, Paulus ka theksuar se mbrojtja e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit është një kauzë me rëndësi të veçantë.
Ajo është shprehur se synon të dëgjojë nga afër shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i përcjellë ato në Bruksel, me qëllim rritjen e vëmendjes europiane ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Pjesë e mbështetjes europiane për protestën është edhe eurodeputetja italiane Cristina Guarda, e cila ka reaguar më herët për situatën në Shqipëri dhe ka njoftuar se do të vijë në Tiranë për t’iu bashkuar lëvizjes qytetare. Guarda ka vlerësuar karakterin paqësor të protestave dhe ka theksuar se zëri i qytetarëve shqiptarë duhet të dëgjohet edhe në institucionet europiane.
Për këtë arsye, ndryshe nga Salis që ka mbërritur tashmë në Tiranë, pjesëmarrja fizike e Paulus dhe Guarda pritet në vijim, sipas njoftimeve të tyre publike.
Protesta e sotme është e 28-ta radhazi dhe është cilësua si tubim mbarëkombëtar, me pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve nga diaspora. Qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të protestës mbeten edhe çështjet e transparencës, mbrojtjes së mjedisit, sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike.
Angazhimi i eurodeputeteve europiane i jep protestës një tjetër peshë politike dhe ndërkombëtare. Mesazhi i tyre është se shqetësimet e qytetarëve shqiptarë nuk do të mbeten vetëm në shesh, por do të dëgjohen dhe do të përcillen edhe në Bruksel, aty ku Shqipëria vlerësohet për rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.