Durrës Marina, investimi 2 miliardë euro që po ndërtohet me parapagimet e apartamenteve

Projekti strategjik Durrës Marina, i prezantuar si një investim prej rreth 2 miliardë eurosh, rezulton se deri në fund të vitit 2024 është financuar kryesisht nga parapagimet e klientëve për apartamente të shitura ende pa u ndërtuar, sipas analizës së bilanceve financiare të viteve 2023 dhe 2024 të shoqërisë Durrës Marina sh.a.
Të dhënat tregojnë se kompania ka arkëtuar rreth 4.17 miliardë lekë, ose afërsisht 42 milionë euro, nga klientët gjatë periudhës 2023 deri në 2024. Këto të ardhura pasqyrohen në bilanc si “Detyrime nga kontratat me klientë” dhe lidhen kryesisht me shitjen e apartamenteve në fazë projekti, përpara ndërtimit të tyre.
Edhe pse projekti ka përfituar statusin e Investimit Strategjik, duke marrë lehtësira të konsiderueshme fiskale, përfshirë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe një sipërfaqe të madhe toke për zhvillim, bilancet tregojnë se në dy vitet e para të aktivitetit financimi është mbështetur kryesisht te parapagimet e blerësve.
Në raportin e aktivitetit, vetë kompania i cilëson këto parapagime si një “komponent të rëndësishëm të financimit” të projektit.
Shumat e arkëtuara deri tani rezultojnë të kenë mbuluar kostot e ndërtimit për vitin 2024. Sipas bilancit, shpenzimet e ndërtimit gjatë këtij viti arritën në rreth 3.4 miliardë lekë, ose afërsisht 35 milionë euro.
Nga ana tjetër, Eagle Hills Real Estate Development, kompania që përfaqëson investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, ka kryer një rritje kapitali prej vetëm 7 milionë eurosh në korrik të vitit 2023. Ky kapital ka mbetur i pandryshuar edhe gjatë vitit 2024.
Shoqëria Durrës Marina sh.a. u krijua më 30 janar 2023 dhe mori statusin e Investimit Strategjik për zhvillimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, me një afat 20-vjeçar.
Në strukturën aksionare, Eagle Hills Real Estate Development zotëron 67 për qind të aksioneve, ndërsa Albanian Seaports Development Company, që përfaqëson palën shqiptare, mban 33 për qind. Kontributi i palës shqiptare përfshin tokën ku do të ndërtohet kompleksi, si edhe përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe fondit të strehimit social, lehtësi që vlerësohen në rreth 7 për qind të vlerës së parashikuar të shitjeve.
Sipas projektit, parashikohet ndërtimi i afro 13 mijë apartamenteve, ku rreth 4 mijë do të ndërtohen në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë. Ndërkohë janë planifikuar vetëm disa hotele me mbi 850 dhoma dhe 280 vende për jahte.
Nga e gjithë sipërfaqja e ndërtimit, rreth 93 për qind do të jetë rezidenciale, ndërsa vetëm 3.5 për qind do t’i dedikohet hoteleve dhe 3.5 për qind sipërfaqeve tregtare.
Edhe pse projekti është prezantuar si një investim me vlerë rreth 2 miliardë euro, bilancet financiare tregojnë se vetëm një pjesë e kufizuar financohet nga kapitali i investitorit kryesor, ndërsa pjesa më e madhe e zhvillimit rezidencial parashikohet të mbështetet në shitjet paraprake të pronave dhe, në fazat e mëvonshme, edhe në financime bankare.