“Rama kërkon të bëhet si Enver Hoxha”, Spartak Ngjela: Është në lajthim, beson se mund të arrijë forcën e diktatorit

Prej 27 ditësh vijojnë protestat qytetare që kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e pa negociueshme të kryeministrit Edi Rama. Në këtë klimë politike, avokati Spartak Ngjela ka reaguar me akuza të forta ndaj kreut të qeverisë, duke e krahasuar me ish-diktatorin Enver Hoxha pas deklaratave të Ramës se protestat janë organizuar nga agjentura të huaja.
Në një postim në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se Rama po përsërit të njëjtën logjikë që, sipas tij, përdorte Enver Hoxha për të justifikuar çdo lëvizje kundër pushtetit.
“Rama e ka në inkoshientin e tij ziline për të pasur ai një forcë diktatoriale, si ajo e Enver Hoxhës. Por a mund ta arrijë dot? Kjo është e pamundur, sepse Rama nuk e ka në favor kohën aktuale, në një kohë kur Enver Hoxha, kohën e tij, nuk e kishte të fituar nga votat, por nga gryka e pushkës”, shkruan ai.
Më tej, Ngjela shprehet se është e pamundur që një drejtues të arrijë forcën e një diktatori pa e kthyer më parë shtetin në një diktaturë partiake të organizuar.
Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, Rama ndodhet në “lajthim”, të cilin e përkufizon si “një gabim i kryer pa dashje, i cili të jep forcë për të besuar në një kërkesë, e cila nuk mund të realizohet”.
Postimi i plotë i Spartak Ngjelës:
“U kthye Enver Hoxha në Shqipëri.
Rama dje na tha për protestën kundër tij se ajo ishte organizuar nga agjenturat e huaja antishqiptare.
Njélloj si Enver Hoxha, sepse edhe ai, çdo lëvizje shoqërore që vepronte kundër tij, e quante si të organizuar nga agjenturat e huaja.
Po imiton Enver Hoxhën nga Edi Rama, në shumë aspekte.
Rama ecën si Enver Hoxha, kërkon të argumentojë me stilin e tij, se po kërkon që të ketë edhe Rama forcën e tij.
Dhe, a e dini pse?
Sepse Rama e ka në inkoshientin e tij ziline për të pasur ai një forcë diktatoriale, si ajo e Enver Hoxhës.
Por a mund ta arrijë dot?
Kjo është e pamundur, sepse Rama nuk e ka në favor kohën aktuale, në një kohë kur Enver Hoxha, kohën e tij, nuk e kishte të fituar nga votat, por nga gryka e pushkës.
Por, a mund të kërkohet të arrihet forca e diktatorit pa qenë bërë më parë vetë shteti një diktaturë partiake e organizuar?!
Jo, sigurisht që nuk mund të kërkohet.
Por ja, Rama, pikërisht për këtë kërkesë që po kërkon, kuptohet se ai është në lajthim, dhe lajthim, në gjuhën shqipe do të thotë: një gabim i kryer pa dashje, i cili të jep forcë për të besuar në një kërkesë, e cila nuk mund të realizohet.
Spartak Ngjela
Tiranë, 26 qershor 2026.”