Skip to content
Kryesore

Shkon në 64 numri i studentëve të helmuar në Akademinë e Sigurisë, SORI-AL e Nikolin Jakës justifikohet me ngrënien menjëherë pas stërvitjes dhe mungesën e higjienës, nën hetim edhe AKU-ja

· 4 min lexim

Shkon në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që kanë përfunduar në spital me simptoma të dyshuara helmimi, ndërsa skandali po zgjerohet edhe më shumë. Në qendër të ngjarjes është kompania e kateringut “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, që pas episodit të dytë brenda pak muajsh u justifikua duke përmendur ushqimet nga jashtë, mungesën e larjes së duarve dhe ngrënien menjëherë pas stërvitjes.

Katër studentë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma, duke e çuar në 64 numrin e të prekurve. Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e plotë të ngjarjes, ndërsa dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet me atë të rastit të parë, të ndodhur në fillim të muajit maj.

Përveç “SORI-AL”, burime bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit që pas helmimit të parë bllokoi kompaninë, e gjobiti dhe më pas e zhbllokoi.

Reagimi i “SORI-AL” ka shtuar edhe më shumë zemërimin. Kompania deklaroi se gjatë monitorimeve kishte konstatuar raste të futjes dhe konsumimit të ushqimeve të porositura nga jashtë në ambientet e Akademisë. Po ashtu, përmendi mungesën e ujit të ngrohtë dhe detergjentit për larjen e duarve, si edhe faktin që studentët konsumojnë ushqimin menjëherë pas stërvitjes.

Pra, ndërsa numri i studentëve në spital shkon në 64, kompania e Alma Tafanit dhe Nikolin Jakës nuk jep një përgjigje të prerë për sigurinë e ushqimit të shërbyer, por hedh në tavolinë justifikime që e zhvendosin dyshimin te vetë studentët, te sanduiçet nga jashtë, te duart e palara dhe te ngrënia pas aktivitetit fizik.

Por këto pretendime hapin pyetje të tjera. Nëse “SORI-AL” kishte dijeni për këto problematika, pse nuk i kishte denoncuar më parë? Pse nuk kishte kërkuar masa nga Akademia e Sigurisë apo nga institucionet përgjegjëse? Pse këto shqetësime u bënë publike vetëm pasi dhjetëra studentë përfunduan në spital?

Ngjarja është edhe më e rëndë sepse nuk është rasti i parë. Vetëm pak muaj më parë, 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën me simptoma të ngjashme. Analizat zyrtare konstatuan se një mostër makaronash rezultoi e kontaminuar me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulazë pozitiv.

Pas atij episodi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Blerina Gjylameti, bllokoi aktivitetin e “SORI-AL”, vendosi gjobë 1.5 milionë lekë dhe njoftoi se ishin konstatuar shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore.

Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, AKU vendosi ta zhbllokonte aktivitetin e kompanisë, duke argumentuar se analizat e higjienës ambientale dhe të pajisjeve të punës kishin rezultuar brenda normave të lejuara.

Sot, pas episodit të dytë, hetimet janë shtrirë edhe ndaj AKU-së. Çfarë garancish dha ky institucion para se “SORI-AL” të rikthehej në aktivitet? A pati kontrolle të shtuara pas helmimit të parë? A u monitorua në mënyrë të posaçme një kompani që kishte dalë më herët me probleme në analizat zyrtare?

Pikëpyetje ka edhe për Prokurorinë e Tiranës. Pas helmimit të parë u njoftua nisja e hetimeve, u administruan kartelat mjekësore dhe u morën në pyetje persona që kishin dijeni për çështjen. Por deri më sot nuk është bërë publik asnjë përfundim mbi përgjegjësitë e atij episodi.

“SORI-AL” fitoi në shkurt 2025 tenderin për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në Akademinë e Sigurisë, me vlerë rreth 2.7 miliardë lekë. Kontrata parashikon furnizimin me tre vakte ushqimore në ditë deri në vitin 2027.

Kompania ka edhe kontrata të tjera publike për furnizim me ushqim në institucione shtetërore, përfshirë Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, Spitalin Rajonal të Beratit, Repartin Ushtarak nr. 5004 në Zall Herr dhe Repartin Ushtarak nr. 5001 në Tiranë.

Rezultatet laboratorike për episodin e fundit nuk janë bërë ende publike dhe shkaku zyrtar i ngjarjes mbetet në hetim. Por fakti që brenda pak muajsh në të njëjtin institucion janë regjistruar dy episode të rënda helmimi, ndërsa numri i studentëve të prekur ka shkuar në 64, kërkon më shumë se deklarata justifikuese.

Tani përgjigje duhet të japë kompania “SORI-AL”, duhet të japë AKU-ja për vendimet e saj pas rastit të parë dhe duhet të japë Prokuroria për hetimin që nuk prodhoi ende një përgjegjësi publike.