Qeveria e shpall “non grata” për 15 vjet pasi mori pjesë në protestë, Ikballe Huduti i përgjigjet Ramës: Dal për Shqipërinë, jo për përfitime

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për shpalljen “non grata” të Ikballe Hudutit (Berisha) për një periudhë 15-vjeçare, me argumentin se veprimtaria e saj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin dhe sigurinë publike.
Sipas vendimit, motivimi bazohet në informacionet e grumbulluara nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave aktiviteti i Hudutit vlerësohet si rrezik për vendin. Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Autoritetet shqiptare theksojnë se Ikballe Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të ajatollahëve dhe se ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Gjithashtu, ajo është shfaqur publikisht në krah të ish-presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad.
Vendimi vjen vetëm pak kohë pasi Huduti u shfaq në protestën qytetare në Tiranë, ku mori pjesë mes protestuesve.
Për praninë e saj në protestë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili publikoi fotografi të Hudutit dhe e akuzoi për lidhje me regjimin iranian.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, u shpreh Rama.
Pas shpalljes “non grata”, Ikballe Berisha Huduti reagoi përmes një postimi në Facebook, ku hodhi poshtë pretendimet se pjesëmarrja e saj në protestë kishte motive përfitimi, duke deklaruar se ishte një akt patriotik dhe qytetar.
“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.”
Huduti shkruan më tej se zëri i saj do të mbetet në shërbim të drejtësisë dhe se protesta nuk buron nga urrejtja ndaj askujt.
“Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.”
Ajo i drejtohet gjithashtu kryeministrit Rama, udhëheqësve botërorë dhe Bashkimit Evropian me një thirrje për dialog.
“Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.”
Në fund të reagimit të saj, Huduti thekson se pozitat shtetërore janë përgjegjësi dhe jo privilegj.
“Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.
Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
As Lindje, as Perëndim. Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.”