Skip to content
Kryesore

Si përfunduan milionat e Check Up te “kulla e kokainës”: 28 milionë euro autofaturime, rrjeti i Vilma Nushit dhe financimi i babait të Ervin Matës

· 4 min lexim

Miliona euro të buxhetit të shëndetësisë, të përfituara nga koncesioni i Check Up, dyshohet se nuk janë përdorur vetëm për një shërbim publik, por janë kanalizuar përmes një rrjeti kompanish të lidhura me Vilma Nushin, për të përfunduar më pas edhe në financimin e kullës që ndërtonte Luan Mata, babai i Ervin Matës, i arrestuar në Brazil për trafik ndërkombëtar kokaine.

Kjo është tabloja që del nga tre investigimet e emisionit “Plug”, të cilat lidhin pagesat e koncesionit 138 milionë euro me autofaturime mes kompanive të të njëjtit grup, skema të dyshuara për fryrje kostosh dhe financimin e një prej projekteve më të diskutuara të ndërtimit në Tiranë, “Ekspozita Building”.

Sipas dokumenteve të publikuara, vetëm katër kompani të lidhura drejtpërdrejt ose familjarisht me Vilma Nushin kanë faturuar rreth 28 milionë euro ndaj kompanisë koncesionare 3P Life Logistic, që administron Check Up.

Marketing & Distribution, në pronësi të Vilma Nushit, ka përfituar rreth 19 milionë euro. Interlogistic, në pronësi të Besnik dhe Erion Nushit, rreth 4.5 milionë euro. TRIMED, në pronësi të kunatit të saj, mbi 4.6 milionë euro, ndërsa Veramentia, gjithashtu në pronësi të Nushit, qindra mijëra euro të tjera.

Sipas investigimit, këto kompani faturonin njëra tjetrën, duke krijuar një qarkullim të brendshëm fondesh që ngre dyshime për fryrje artificiale të kostove të koncesionit dhe justifikim të pagesave të marra nga buxheti i shtetit.

Por hallka që e bën dosjen edhe më të rëndë është një tjetër.

Dokumentet tregojnë se në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution transferoi rreth 1.1 milionë euro drejt kompanisë Victoria Construction, në pronësi të Luan Matës, babait të Ervin Matës.

Ky transaksion u krye një vit përpara se Këshilli Kombëtar i Territorit, me firmat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, të miratonte lejen për ndërtimin e kullës “Ekspozita Building”, një godinë 29-katëshe në zonën e ish-Ekspozitës në Tiranë.

Sipas Plug, pikërisht në vitin kur u krye ky financim, Vilma Nushi mori edhe dividendin e parë nga koncesioni i Check Up, me një vlerë rreth 1.2 miliardë lekë, pothuajse e njëjtë me shumën e investuar në kompaninë e Luan Matës.

Investigimi ngre pyetjen nëse këto para kanë shërbyer si financim i drejtpërdrejtë për ndërtimin e kullës apo si një kontratë tjetër financiare, çështje që, sipas autorëve, duhet të hetohet nga SPAK.

Vetë Vilma Nushi ka dhënë dy shpjegime të ndryshme për këtë marrëdhënie financiare.

Në një përgjigje ajo e cilësoi marrëveshjen si “financim në ndërtim”, ndërsa më pas deklaroi se bëhej fjalë për një “kontratë porosie/parablerjeje”, megjithëse leja e ndërtimit nuk ishte miratuar ende në momentin kur u krye pagesa.

Pikërisht ky ndryshim i versioneve u bë objekt pyetjesh nga emisioni, i cili kërkoi të dinte mbi çfarë baze juridike ishte lidhur kontrata dhe si ishte garantuar miratimi i mëvonshëm i lejes së ndërtimit.

Paralelisht, investigimi evidenton edhe skema të tjera që ngrenë dyshime për qarkullim artificial fondesh.

Sipas dokumenteve, kompania Veramentia i jepte me qira ambiente kompanisë koncesionare, ndërsa në praktikë rezulton se Vilma Nushi i paguante qira kompanisë së saj.

Po ashtu, dhjetëra automjete figuronin njëkohësisht si pronë e Marketing & Distribution dhe e 3P Life Logistic, ndërsa koncesionari vijonte të paguante sigurime, karburant dhe mirëmbajtje për mjete që sipas dokumenteve nuk ishin transferuar realisht.

Një tjetër rast lidhet me subjektin Afete Limaj, i regjistruar për suvatime dhe punime ndërtimi, i cili pasi aktivizohet pas disa vitesh pezullim, i faturon koncesionarit rreth 45 mijë euro dhe më pas rikthehet sërish në status pasiv.

Plug sjell gjithashtu një denoncim sipas të cilit pajisje të ndryshme, përfshirë 450 laptopë, janë blerë nga Marketing & Distribution dhe më pas i janë rishitur kompanisë koncesionare me çmime dukshëm më të larta, duke rritur kostot e Check Up.

Në të njëjtën kohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se vetëm gjatë viteve 2015 deri në 2018 koncesionari është paguar rreth 925 milionë lekë më shumë për kontrolle të pakryera, ndërsa në raportin përfundimtar vlerësohet se koncesioni nuk ka sjellë efektet e pritshme në përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Sipas investigimit, vetëm nga të dhënat financiare të analizuara rezultojnë mbi 20 milionë euro pagesa të panevojshme ose të dyshuara si abuzive, ndërsa skema e autofaturimeve mes kompanive të lidhura arrin në rreth 28 milionë euro.

Në përfundim, emisioni ngre dyshimin se një pjesë e parave të koncesionit të Check Up mund të jenë përzier me investimet në kullën e ndërtuar nga babai i Ervin Matës, ndërsa thekson se verifikimi i plotë i kësaj skeme mbetet përgjegjësi e SPAK.