Skip to content
Kryesore

Ish-zv.ministrja e PS shpërthen ndaj Ramës: Është gangster që ngre kulla me paratë e drogës

· 4 min lexim

Ish-zëvendësministrja e qeverisë socialiste, Irena Beqiraj, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama përmes një analize të gjatë mbi librin “The Albanian Files“, duke e akuzuar se po përdor arkitekturën dhe projektet e mëdha urbane për të maskuar mungesën e zhvillimit real ekonomik. Sipas saj, libri nuk përfaqëson suksesin e Shqipërisë, por shërben si një instrument për të promovuar kultin e individit dhe një model qeverisjeje që ajo e krahason me atë të Perandorisë Romake.

Në reagimin e saj, Beqiraj ngre dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së arkitektëve dhe investitorëve, duke pretenduar se ata janë zgjedhur pa garë dhe kanë përfituar tokë publike, si edhe lehtësi administrative e fiskale. Ajo lidh gjithashtu ndërtimin e kullave me flukset e parave të pista të drogës, duke iu referuar dosjeve hetimore të publikuara nga SPAK.

“Albanian Files, libri që Kryeministri Rama tundi përpara gazetares së CNN-it si provë e zhvillimit, është një përmbledhje e rrëfimeve të arkitektëve më të mirë të botës të zgjedhur pa garë nga Kryeministri. Të paguar sa kanë kërkuar nga investitorë të cilët po ashtu kanë përfituar tokë publike, lehtësi administrative dhe fiskale pa garë po sërish nga Kryeministri… Ai libër nuk është gjë tjetër veçse celebrimi i pushtetit të supozuar të një njeriu, më shumë sesa tregues i zhvillimit të vendit”, shkruan Beqiraj.

Në analizën e saj, ajo argumenton se arkitektura historikisht është përdorur nga pushtetet autokratike si mjet për të shfaqur autoritetin dhe madhështinë, duke sjellë si shembuj Greqinë e Lashtë, Perandorinë Romake dhe regjimet fashiste të shekullit XX. Sipas saj, edhe në Shqipëri arkitektura po përdoret për të mbështetur status quo-në përmes estetikës, në vend që të reflektojë zhvillim real ekonomik.

“Ai libër nuk është gjë tjetër veçse prova se Kryeministri kërkon t’i veshë petkun e zhvillimit qasjes së tij prej Perandori Romak. Ai libër nuk është gjë tjetër veçse celebrimi i pushtetit të supozuar të një njeriu, më shumë sesa tregues i zhvillimit të vendit të cilit ai u zgjodh për t’i shërbyer. Ai libër është prova se arkitektura është përdorur si mjet për të siguruar mbështetje për status quo-në duke përdorur estetikën në vend të zhvillimit. Ndërkohë sipas hetimeve edhe dosjeve të publikuara të SPAK del se tek investitorët që Kryeministri zgjidhte për të jetësuar vizionin e tij nuk mungonin pastruesit e parave të pista të drogës”, vijon ajo.

Beqiraj ndalet edhe te ndikimi ekonomik që, sipas saj, sjell ky model zhvillimi. Ajo argumenton se rritja e ofertës monetare shumë më shpejt se ekonomia reale ka orientuar kapitalin drejt tregut të pasurive të paluajtshme, duke krijuar një stabilitet të rremë ekonomik.

“Ndërsa ky fluks parash ka rritur ofertën monetare 2.5 herë më shpejt se rritja ekonomike edhe inflacioni i ulët duket i qëndrueshëm, kjo situatë ekonomike krijon dobësi strukturore me kalimin e kohës pasi likuiditeti i tepërt e gjen rrugën e tij në tregjet e pasurive të paluajtshme në vend të mallrave të konsumit. Kjo shkakton rritje të çmimeve të ndërtesave në vend të inflacionit tradicional, duke krijuar një ndjenjë të rreme stabiliteti në ekonominë reale”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, ish-zëvendësministrja përdor edhe një krahasim me perandorin romak Neron, duke cituar shprehjen e njohur latine “Qualis artifex pereo!” dhe duke e akuzuar kryeministrin se ka harruar rolin e tij si administrator i përkohshëm.

“Kryeministri ynë artist ka harruar se është vetëm një administrator i përkohshëm, edhe prirja e tij për shkëlqimin dhe shkallën perandorake nuk e bën Neron. Megjithëse veprimet e tij janë veprimet e një njeriu që ka harruar, ose nuk i intereson, pse, si dhe për kë është në atë detyrë, ai sërish nuk është Perandor. Ai vështirë se meriton titullin politikan, patriot apo edhe udhëheqës. Ai është një gangster që luan shpëtimtarin, i cili ka vendosur të jetësojë emrin e tij me godinat e larta të ndërtuara me paratë e drogës, por me dëme të parikuperueshme ekonomike dhe psikologjike për shoqërinë tonë”, përfundon Beqiraj.