Skip to content
Kryesore

“Sot ma vrave për së dyti babanë!” Vajza e Tahir Sinanit shpërthen ndaj Taulant Ballës: Gjaku i tij do t’ua thyejë qafën

· 2 min lexim

Vajza e dëshmorit të luftës në Kosovë, Tahir Sinani, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Taulant Ballës, pasi kreu i grupit parlamentar socialist publikoi një dokument ku emri i komandantit legjendar i UÇK-së përfshihej në një listë që, sipas saj, e paraqiste si “mercenar”, së bashku me Dritan Goxhajn.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rugova Sinani e cilëson këtë një fyerje dhe poshtërim të rëndë ndaj figurës së babait të saj, duke kërkuar falje publike nga Balla.

“Sapo pashë letrën e publikuar nga Taulant Balla, kinse një listë me emrat e marcenarëve në UÇK, se kështu i quaka ai luftëtarët e lirisë. Një letër gjysmake, pa specifika, ku në krye qëndron emri i babait tim, Heroit të Kombit Tahir Sinani. Njeriu që sakrifikoi çdo gjë për çështjen kombëtare, çlirimtari i tre luftërave. Sot Taulant Balla, një mbetje e Politikës shqiptare, përdhos dhe fyen emrin dhe gjakun e babait tim.

TURP!!!!

Vetëm një i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Taulant Balla urgjentisht ti duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën! Gjaku i tij do jua thejë qafën ty e gjithë atyre që prekin te plaga që hala dhemb.

Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike. E në qoftë se nuk e njeh ti Tahir Sinanin e njeh gjithë shqiptaria. Ai shkoi me lavdi po ti ça do lësh mbrapa?! Turp për ty!”

Në reagimin e saj, ajo u drejtohet edhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e akuzuar se po merret me politikë në vend që të mbrojë vlerat e luftës dhe familjet e dëshmorëve.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Detyra juaj është të mbroni të drejtat e veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe vlerave të luftës dhe jo të merreni me politikë nën petkun e UÇK-së nëpërmjet kësaj organizate. Përndryshe të shpërbëheni menjëherë si grup drejtues dhe të drejtohet nga persona që ja dinë vlerën luftës e gjakut të dëshmorëve.

Pas gati 25 vitesh nga rënia dëshmor e babit të përjetosh këtë poshtërim është e rëndë!”, shkruan Rugova Sinani.