Prokuroria e Posaçme ka zbuluar detaje të reja që, sipas saj, forcojnë dyshimet se vila F6 në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi është pronë e fshehur e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe jo e shtetasit Igli Tare, në emrin e të cilit figuron dokumentacioni.
Sipas SPAK, ndryshimi i kontratës së furnizimit me energji elektrike nga kompania “Eurocol” te Igli Tare, si dhe pagesat e faturave të energjisë për vilën, janë kryer nga Viola Haxhiademi dhe Laureta Omeri, të cilat konsiderohen persona të afërt dhe vartëse të Ballukut.
Nga dokumentet e siguruara pranë OSHEE-së rezulton se më 2 gusht 2022 është paraqitur kërkesa për ndryshimin e emrit të kontratës së energjisë nga “Eurocol” në “Igli Tare”. Megjithatë, SPAK thekson se në formular mungon nënshkrimi i aplikuesit dhe verifikimet në sistemin TIMS tregojnë se në atë datë Igli Tare nuk ndodhej në territorin shqiptar. Ndryshimi i kontratës është finalizuar më 4 gusht 2022.
Hetuesit kanë administruar gjithashtu komunikime të gjetura në telefonin e sekuestruar të Viola Haxhiademit. Në këto mesazhe, Laureta Omeri diskuton me të për kalimin e kontratës në emër të Igli Tares dhe për pagesat e energjisë elektrike. Në një komunikim të korrikut 2022, Omeri i shkruan Haxhiademit për faturat, ndërsa kjo e fundit i përgjigjet se do t’i paguajë vetë.
SPAK ka zbuluar edhe një tjetër komunikim të datës 1 gusht 2022, ku Laureta Omeri i dërgon Viola Haxhiademit fotografi të kontratës së vilës F6 dhe pasaportën e Igli Tares. Pak minuta më vonë, Haxhiademi ia përcjell këto dokumente Klevis Jahajt, atëherë drejtor në OSHEE. Tre ditë më pas, Jahaj e njofton me mesazh: “U vu ai # emrit”, ndërsa Haxhiademi i përgjigjet duke e falënderuar. Sipas SPAK, data e këtij komunikimi përkon me datën kur u krye ndryshimi i kontratës së energjisë.
Prokuroria thotë se komunikimet tregojnë gjithashtu se faturat e energjisë elektrike të vilës janë administruar dhe paguar nga Laureta Omeri dhe Viola Haxhiademi. Në shtator 2022, dy zyrtaret diskutojnë për një faturë shtesë prej rreth 42 mijë lekësh për ambientet e përbashkëta të kompleksit, ndërsa Omeri i dërgon Haxhiademit kopjen e faturës së lëshuar në emër të Igli Tares.
Sipas SPAK, këto veprime përbëjnë prova që tregojnë përfshirjen e personave të afërt me Ballukun në administrimin e vilës dhe mbështesin dyshimin e prokurorisë se prona është mbajtur e fshehur përmes një skeme ku janë përdorur vartës dhe funksionarë publikë për të ndryshuar dokumentacionin dhe për të kryer pagesat përkatëse. Prokuroria pretendon se vila është përfituar si ryshfet nga kompania “Eurocol”, e cila kishte marrë tendera gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol.








