Teksa protestat për largimin e Kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në javën e katërt, një mesazh domethënës ka ardhur edhe nga Presidenti i Dhoma Amerikane e Tregtisë, Van Cleve, i cili ka kërkuar më shumë dialog dhe luftë reale ndaj korrupsionit.
Gjatë një konference të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Van Cleve theksoi se zhvillimi ekonomik dhe investimet nuk mund të ecin përpara pa një klimë besimi, transparence dhe komunikimi mes palëve.
“Shpresoj të ketë dialog. Kam parë edhe investimet shqiptare, ka pasur një dialog konstruktiv dhe rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin po flasim. Le ta marrim këtë si një mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara. Theksin do ta vendosja te dialogu”, deklaroi ai.
Deklarata vjen në një moment kur mijëra qytetarë vijojnë protestat kundër qeverisë, duke ngritur akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe mosdëgjim të zërit të qytetarëve. Mesazhi i Van Cleve për dialog dhe luftë kundër korrupsionit shihet si një thirrje e qartë për më shumë komunikim institucional dhe adresim të shqetësimeve që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë prej javësh.
Në thelb, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë nënvizoi dy elementë që protestuesit i kanë ngritur vazhdimisht si problem: korrupsionin dhe mungesën e dialogut, duke argumentuar se pa zgjidhjen e tyre nuk mund të ketë progres të qëndrueshëm.







