Pas procedimeve penale ndaj protestuesve, qeveria duket se po hedh në lojë çdo mjet për të bllokuar revoltën qytetare. Goditja e radhës vjen ndaj diasporës, ku dhjetëra qytetarë që udhëtuan drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës denoncojnë se janë gjobitur me nga 110 mijë lekë secili.
Sipas një denoncimi të publikuar nga JOQ Albania, protestuesit janë ndëshkuar nga policia gjatë kthimit nga Tirana drejt pikës kufitare të Muriqanit, me arsyetimin e “pengimit të trafikut” dhe lëvizjes me shpejtësi të ulët në rrugë. Ata pretendojnë se sot janë përballur edhe me pengesa në kufi drejt Malit të Zi, pasi u është kërkuar pagesa e gjobave për të vijuar udhëtimin.
Në një dokument të shpërndarë nga protestuesit shihet një procesverbal policie, ku masa lidhet me pengimin e qarkullimit rrugor. Por sipas protestuesve, gjobat kanë shënjestruar automjetet e diasporës që morën pjesë në protestën e djeshme në kryeqytet.

Ky rast i shtohet zinxhirit të presionit ndaj protestës. Ditët e fundit janë proceduar penalisht disa grupe protestuesish, ndërsa vetëm sot policia njoftoi procedimin e 9 qytetarëve që qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë.
Ndërkohë, në rrjete sociale po shtohen edhe denoncimet për ndërhyrje në algoritmet e TikTok, ku qytetarë dhe aktivistë tregojnë se videot e protestës dhe videot kritike ndaj qeverisë po kufizohen në shtrirje. Tabloja politike po bëhet gjithnjë e më e qartë: procedime, pezullime, gjoba, pengesa dhe presion digjital.
Në vend që të përballet me zemërimin qytetar, pushteti po përpiqet të lodhë protestuesit një nga një. Por gjobat dhe procesverbalet nuk e shuajnë dot një revoltë që ka dalë nga padrejtësia, arroganca dhe bindja se qeveria po përdor çdo kartë për të mbrojtur veten nga qytetarët.








