Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 9 protestues që qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, pas tubimit të zhvilluar më 20 qershor. Ky është episodi i radhës i presionit policor ndaj qytetarëve, pas dy ditësh të tjera procedimesh ndaj protestuesve që kanë marrë pjesë në tubimet kundër qeverisë.
Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kanë vijuar qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të orarit të njoftuar të tubimit, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në hapësirën publike. Policia pretendon se ata kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë prishur qetësinë publike.
Të proceduarit janë shtetasit Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
Në vetëm pak ditë, dhjetëra qytetarë janë vënë nën presion për pjesëmarrjen në protesta, duke treguar qartë përpjekjen e pushtetit për ta lodhur dhe frikësuar lëvizjen qytetare. Në vend që të dëgjojë zemërimin publik, qeveria po përdor policinë për të larguar protestuesit një nga një nga sheshi.
Por protesta që lind nga padrejtësia, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit nuk shuhet me procedime penale. Çdo tentativë për ta ndalur me forcë vetëm e rrit revoltën dhe e bën më të dukshme frikën e qeverisë nga qytetarët.
Tubimi ka hyrë në ditën e 22-të dhe mesazhi i protestuesve mbetet i qartë: presioni nuk do ta ulë zërin e një populli që ka dalë në shesh për drejtësi.
Kujtojmë se sot, 21 qershor, është afati i fundit që populli i ka lënë qeverisë Rama për dorëheqje.








