Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor për paketën bazë të internetit celular, në raport me të ardhurat e qytetarëve. Të dhënat e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, të cituara nga AKEP, tregojnë se kostoja mesatare mujore e internetit me brez të gjerë në rrjetet celulare për vitin 2025 arriti në 1.69% të të ardhurave mujore bruto.
Ky nivel e vendos Shqipërinë mbi të gjitha vendet e rajonit dhe mbi mesataren botërore, duke treguar qartë se qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë për një shërbim bazë që sot është i domosdoshëm. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 1.31%, Bosnjë-Hercegovina me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia me 0.96%. Mesatarja botërore është 1.38%, ndërsa ITU nuk publikon të dhëna për Kosovën.
Edhe te paketat me përdorim më të lartë, që përfshijnë 140 minuta, 20 SMS dhe 5GB internet, Shqipëria mbetet në krye të vendeve me kosto të larta. Kostoja në vend arrin në 1.95% të GNI, duke e renditur të dytën në rajon, pas Maqedonisë së Veriut me 2.1%. Pas Shqipërisë vijnë Bosnjë-Hercegovina me 1.86%, Serbia me 1.49% dhe Mali i Zi me 1.01%, ndërsa mesatarja botërore është 1.54%.
Metodologjia e ITU mat përballueshmërinë e shërbimeve të komunikimit elektronik në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë. Pragu prej 2% shërben si kufi referues për të përcaktuar nëse këto shërbime bazë janë të përballueshme.
Edhe pse AKEP vlerëson se shërbimet celulare në Shqipëri mbeten nën ose pranë këtij pragu, krahasimi me rajonin tregon një realitet më problematik: shqiptarët paguajnë më shumë se fqinjët për internet celular, në një treg që pas vitit 2023 është përqendruar në vetëm dy operatorë.
Rritja graduale e çmimeve në segmentin celular përkon pikërisht me këtë strukturë duopoliste. Pas një periudhe konkurrencë më të fortë, tregu i përqendruar duket se u ka dhënë operatorëve më shumë hapësirë për të rritur çmimet dhe për të përmirësuar treguesit financiarë, ndërsa barra bie drejtpërdrejt mbi konsumatorët shqiptarë.







