Prej disa ditësh, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një valë procedimesh ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat dhe marshimet e zhvilluara në rrugët e Tiranës. Për protestuesit dhe aktivistët, kjo nuk është thjesht zbatim i ligjit, por një përpjekje e qartë për të ushtruar presion dhe për të frikësuar ata që i janë bashkuar Revolucionit qytetar kundër qeverisë.
Sipas të dhënave të bëra publike, 23 protestues janë proceduar për akuza që lidhen me organizimin e grumbullimeve, pengimin e qarkullimit dhe prishjen e rendit publik. Por kjo valë procedimesh ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po përdoret policia në një moment kur protesta është kthyer në shprehje të hapur të zemërimit qytetar.
Në vend që qeveria të përballet me arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë, duket se po zgjedh një rrugë tjetër: t’i heqë njerëzit një nga një nga protesta përmes presionit policor dhe procedimeve penale. Një manovër hileqare, që synon të zbehë pjesëmarrjen dhe të krijojë frikë te qytetarët që marshojnë lirshëm në rrugët e kryeqytetit.
Por këto lëvizje po shihen si të dështuara nga vetë protesta. Sepse zëri i një populli që ka dalë në rrugë nuk ulet me procedime, as revolta nuk zbutet duke përdorur policinë si mjet presioni politik.
Përkundrazi, çdo tentativë për të frikësuar protestuesit rrezikon të shtojë më shumë zemërim dhe të forcojë bindjen se qytetarët nuk po përballen vetëm me arrogancën e pushtetit, por edhe me përpjekjen e tij për të kontrolluar pakënaqësinë publike përmes forcës.








