Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke akuzuar protestuesit se po refuzojnë faktet dhe po bien pre e, sipas tij, dezinformimit, teorive konspirative dhe manipulimeve politike.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama tha se ka mirëkuptim për qytetarët që janë bashkuar në protestë nga shqetësimi për mjedisin dhe natyrën, por shtoi se problemi qëndron te refuzimi për të dëgjuar argumentet dhe ekspertizën.
“Problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur. Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar”, shkruan Rama.
Duke iu referuar flamingove rozë, simbolit që është përdorur gjerësisht në protestat kundër projektit në Zvërnec, kreu i qeverisë tha se ka simpati për ata që janë mobilizuar nga shqetësimi për natyrën, por kritikoi atë që e cilësoi si shndërrim të protestës në një demonstrim politik.
Sipas tij, protesta është kthyer në një lëvizje “të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe”.
Rama ngriti gjithashtu pyetjen se përse protestuesit nuk distancohen nga personat që, sipas tij, po e përdorin kauzën mjedisore për interesa të tjera.
“Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?!”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, kryeministri përdori edhe shprehjen e njohur “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”, duke argumentuar se shqetësimet e sinqerta nuk mjaftojnë nëse nuk mbështeten te faktet, arsyeja dhe diskutimi racional.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec vijojnë prej javësh, ndërsa kundërshtarët e investimit shprehin shqetësime për ndikimin e tij në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës dhe ekosistemin e lagunës. Në anën tjetër, qeveria këmbëngul se projekti mund të realizohet duke respektuar standardet mjedisore dhe pa cenuar vlerat natyrore të zonës.








