Në fillim u tha se do të zgjaste dy ditë.
Pastaj u tha se ishte thjesht zemërim për një resort.
Pastaj u tha se ishte lojë opozite.
Pastaj u tha se ishte “trend” rrjetesh sociale.
Por pas dy javësh, kjo protestë nuk është më vetëm thirrje në shesh. Ajo ka filluar të prodhojë pasoja reale.
Dhe kjo është arsyeja pse pushteti është nervoz.
Sepse një protestë që nuk prek asgjë, injorohet. Një protestë që nuk ndryshon asgjë, harrohet. Por një protestë që fillon të lëvizë media, drejtësi, parti, oligarkë, institucione dhe qytetarë të zakonshëm, ajo nuk është më zhurmë. Është forcë politike.
Arritja e parë ishte thyerja e frikës.
Në një vend ku njerëzit janë mësuar të thonë “s’bëhet gjë”, dalja masive në shesh është vetë fitore. Jo vetëm sepse u mbush bulevardi, por sepse dolën njerëz që zakonisht nuk dalin: familje, të rinj, prindër, njerëz që punojnë në administratë, qytetarë që nuk i përkasin asnjë partie, shqiptarë nga diaspora, njerëz që e kishin humbur besimin se zëri i tyre ka peshë.
Kjo protestë u dha atyre një ndjesi që pushteti e ka frikë më shumë se çdo pankartë: ndjesinë se nuk janë vetëm.
Pastaj protesta nxori zbuluar shtetin.
Pamjet e para të presionit policor, të protestuesve të tërhequr zvarrë, të arrogancës institucionale dhe të përpjekjes për ta trajtuar zemërimin qytetar si incident të vogël prodhuan efektin e kundërt. Në vend që ta trembnin protestën, i dhanë asaj legjitimitet moral.
Kur shteti reagon me nervozizëm ndaj qytetarëve paqësorë, ai pranon pa dashje se ka frikë prej tyre.
Pastaj u thye censura.
Në fillim, një pjesë e medias u soll sikur protesta nuk ekzistonte. Ose sikur ishte diçka periferike, e vogël, e menaxhueshme. Por një shesh që rritet çdo ditë nuk fshihet dot pafund. Sot edhe mediat që e shmangën janë të detyruara ta diskutojnë. Edhe kur përpiqen ta deformojnë, përsëri flasin për të.
Dhe kjo është fitore.
Jo sepse media u bë e lirë brenda natës, por sepse heshtja u bë e pamundur.
Një tjetër arritje e madhe është se protesta nuk u kthye në pronë të opozitës së vjetër.
Thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” është mekanizëm mbrojtës. Ajo e ndalon Ramën ta quajë protestën “miting opozite”. Dhe e ndalon opozitën e vjetër ta përdorë protestën si ashensor për t’u kthyer në pushtet.
Kjo është arsyeja pse ajo thirrje i bezdis të dyja palët.
Sepse u heq alibinë.
Protesta e nxori zbuluar edhe këtë: zemërimi qytetar nuk është pronë e asnjë partie. Nuk është nostalgji për të vjetrit. Nuk është kërkesë për riciklim. Është refuzim i të njëjtit sistem me dy fytyra.
Pastaj erdhi vëmendja ndërkombëtare.
Mediat e huaja hynë në këtë histori përmes Kushnerit, Sazanit, Zvërnecit dhe flamingove. Por kjo nuk është dobësi. Është derë hyrëse. Sepse bota mund të ketë ardhur për historinë e resortit, por tani po sheh një problem shumë më të madh: tokë publike, interesa private, mungesë transparence, institucione të kapura, demokraci të lodhur.
Protesta e ktheu një projekt që mund të kalonte si “investim strategjik” në çështje ndërkombëtare politike dhe morale.
Në terren, presioni ka prodhuar tërheqje konkrete.
Rrethimi në Zvërnec u hoq. Rrjolli u kthye në vëmendje publike. Në Dardhë të Librazhdit u hoq një gardh që pengonte aksesin te burimi i ujit. Këto mund të duken ngjarje lokale, por nuk janë të vogla.
Një gardh i hequr pas presionit publik është mesazh.
Është qytetari që kupton se hapësira publike nuk është pronë e të fortëve. Është fshati që sheh se mund të flasë. Është sistemi lokal që kupton se nuk mund të sillet më sikur askush nuk po e sheh.
Edhe drejtësia po ndien temperaturën.
SPAK dhe BKH nuk veprojnë në vakum shoqëror. Kur mijëra qytetarë dalin çdo ditë në shesh, kur emrat e oligarkëve përmenden hapur, kur prona publike, kullat, resortet, lejet dhe pasuritë bëhen pjesë e zemërimit qytetar, edhe institucionet e drejtësisë e kuptojnë se heshtja ka kosto.
Janë prekur pasuri të mëdha dhe rrjete interesi të lidhura me zonat bregdetare. Po ashtu, raportimet për lëvizje ndaj një prej figurave më të mëdha të oligarkisë shqiptare tregojnë se protesta ka prekur vendin ku sistemi është më i ndjeshëm: te paraja.
Kjo nuk duhet thënë si hakmarrje. Duhet thënë si parim.
Nëse pasuria është bërë me pushtet, tokë publike, tendera, leje dhe ndikim politik, ajo nuk mund të mbetet e paprekshme.
Një protestë serioze nuk kërkon linçim. Kërkon drejtësi. Dhe drejtësia nuk mbaron me fjalë. Ajo duhet të shkojë te pasuria.
Pastaj erdhi çarja politike.
Largimi i një deputeteje nga grupi parlamentar i PS-së nuk është fundi i pushtetit. Por është shenjë. Në një sistem ku shumica mbahet me numra, disiplinë dhe frikë, çdo çarje ka peshë më të madhe se vetë emri i individit.
Ajo tregon se presioni i sheshit po hyn brenda mureve të pushtetit.
Tregon se kostoja e besnikërisë po rritet.
Tregon se disa njerëz brenda sistemit kanë filluar të mendojnë për ditën pas Ramës.
Kjo është arsyeja pse protesta nuk duhet të masë suksesin vetëm me dorëheqje të menjëhershme. Një sistem bie fillimisht nga jashtë moralisht, pastaj nga brenda politikisht.
Dhe sot të dyja kanë filluar.
Por ndoshta arritja më e rëndësishme është kjo: protesta e ktheu qytetarin në qendër të politikës.
Jo ekspertin televiziv.
Jo kryetarin e partisë.
Jo oligarkun.
Jo ambasadorin.
Jo propagandën.
Qytetarin.
Qytetarin që pyet kush e mori tokën.
Qytetarin që pyet kush e dha lejen.
Qytetarin që pyet pse heshti media.
Qytetarin që pyet pse u përdor administrata.
Qytetarin që pyet pse drejtësia vonon.
Qytetarin që pyet pse zgjedhjet riciklojnë të njëjtët.
Kjo është arsyeja pse protesta është e rrezikshme për pushtetin.
Jo sepse bërtet.
Por sepse po mëson të numërojë, të krahasojë, të kujtojë, të kërkojë, të mos gënjehet më aq lehtë.
Kjo protestë ende nuk ka fituar gjithçka.
Ka probleme. Ka rrezik kapjeje. Ka mungesë strukture. Ka njerëz që duan protagonizëm. Ka vendime të pamenduara. Ka lodhje. Ka zemërim që mund të keqpërdoret.
Por të gjitha këto nuk e fshijnë faktin kryesor:
Protesta ka filluar të prodhojë pasoja.
Ka thyer frikën.
Ka çarë censurën.
Ka bllokuar opozitën e vjetër nga privatizimi i zemërimit.
Ka futur Shqipërinë në vëmendje ndërkombëtare.
Ka detyruar pushtetin të reagojë.
Ka nxitur tërheqje në terren.
Ka rritur presionin mbi oligarkët.
Ka aktivizuar drejtësinë.
Ka prodhuar çarje politike.
Ka kthyer qytetarin në aktor.
Protesta ka treguar që ka forcë.
Por, a do ta ruajë këtë forcë pa e lënë të kapet, të lodhet apo të shpërdorohet?
Sepse kur një protestë fillon të prodhojë pasoja, ajo hyn në fazën më të rëndësishme.
Faza ku pushteti nuk e injoron më.
E ka frikë.








