Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka refuzuar ftesën e Edi Ramës për të marrë pjesë në aktivitetin e sotëm në sheshin “Italia”, ku Partia Socialiste shënon 35-vjetorin e themelimit. Refuzimi i saj nuk është thjesht një mungesë në ceremoni, por një goditje e drejtpërdrejtë politike ndaj kryeministrit, të cilin ajo e akuzon se ka zaptuar Partinë Socialiste dhe e ka kthyer atë në fasadë pushteti, korrupsioni dhe klientelizmi.
Në reagimin e saj për gazetën “Dita”, Dade del hapur kundër organizimit të Ramës, të cilin e cilëson “antimiting” të thirrur nga lart. Sipas saj, socialistët e vërtetë nuk janë në aktivitetet e organizuara me administratë, presion dhe duartrokitje të komanduara, por në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet, të drejta sociale dhe barazi.
Dade thekson se Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë parti e kundër-protestave, por një forcë politike që ka lindur si avangardë e ndryshimit. Për këtë arsye, sipas saj, sheshi që Rama kërkon të mbushë sot nuk përfaqëson historinë e PS-së, por tjetërsimin e saj.
Në deklaratën e saj, ish-ministrja përdor tone të ashpra ndaj kryeministrit, duke e akuzuar se sistemi që socialistët luftuan përballë Sali Berishës nuk u shkatërrua, por “u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së”. Ajo e lidh këtë situatë me korrupsionin, klientelizmin dhe arrogancën e pushtetit absolut, duke e cilësuar refuzimin e ftesës si refuzim ndaj Ramës dhe ndaj “antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës”.
Dade mbron protestën e rinisë, duke theksuar se ajo nuk është kundër së majtës, por përfaqëson kërkesa thellësisht të majta dhe sociale. Sipas saj, revolta është edhe kundër zaptimit të së majtës, një proces që ajo e krahason me mënyrën se si Sali Berisha, sipas saj, zaptoi të djathtën në vitet ’90.
Ajo kritikon gjithashtu ish-funksionarët socialistë që do të rreshtohen në aktivitetin e Ramës, duke i cilësuar si figura që kanë pranuar të përdoren si dekor dhe si mburojë e korrupsionit. Në fund, Dade bën thirrje për një të majtë të rilindur mbi idealet fillestare, me moral, integritet dhe me sytë nga qytetarët, jo nga xhepat.
Reagimi i plotë i Arta Dades
Sot, socialistët e vërtetë, ata që u rritën me idealet e drejtësisë shoqërore, nuk gjenden në antimitingun e thirrur “nga lart”. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet. Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë partia e kundër-protestave të organizuara me administratë dhe presion. Ajo lindi si avangardë e ndryshimit dhe ka ditur të jetë edhe në vitet më pas, në krye të çdo kthese historike të vendit. Ai shesh që kërkon të mbushë sot zoti Rama nuk përfaqëson historinë e saj, por tjetërsimin e saj.
Vendi im sot është aty ku kam qenë gjithmonë dhe e di që sot flas në emër të çdo socialisti që nuk e ka shitur kujtesën. Socialistët e vërtetë kanë qenë në krye të përballjeve në vitet më të errëta të tranzicionit, në ’92, në ’94, në vitin tragjik ’97, dhe në atë 21 Janar të përgjakur që pasoi krimin shtetëror të Gërdecit. Kemi qenë aty përballë Sali Berishës dhe regjimit të tij. Tragjedi është se ai sistem që luftuam nuk u shkatërrua. Ai u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së. Refuzimi im i sotëm është ndaj tij dhe ndaj antimitingjeve të korrupsionit e të fasadës, të cilat i përkulen vetëm parasë e pushtetit, dhe harrojnë gjakun e derdhur në bulevard.
Z. Rama po përpiqet ta shesë revoltën e rinisë si një lëvizje destabilizuese, por e vërteta është krejt ndryshe. Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi, për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore. Ndaj kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës. Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund.
Asnjë forcë tjetër politike në historinë moderne të Shqipërisë nuk ka bërë më shumë për shtetformimin dhe progresin sesa Partia Socialiste. Por së fundmi, në trupin e kësaj partie janë rritur tumore të rrezikshme, korrupsioni galopant, klientelizmi dhe së fundmi arroganca e pushtetit absolut. Diferenca historike e PS-së ka qenë aftësia e saj për vetëkorrigjim. Socialistët e vërtetë janë vetëpastruar përmes vullnetit, idealeve dhe zërit kritik, jo përmes duartrokitjeve servile nëpër anti mitingje të rreme. Në këtë ndarje të madhe epokale, është e dhimbshme dhe zhgënjyese të shohësh disa ish-përfaqësues të Partisë Socialiste, njerëz me të cilët kemi ndarë beteja të vështira, që sot do të rreshtohen në atë antimiting. Të vjen vërtet keq për rënien e tyre morale. Është e trishtueshme të konstatosh se si këto figura që dikur kishin zë, sot pranojnë të përdoren si dekor, të nxitur nga interesa të vogla, meskine të çastit.
Nuk përfaqësojnë më asgjë veçse kompromisin e tyre personal me të keqen. Duke pranuar të bëhen mburojë e korrupsionit, ata kanë dorëzuar dinjitetin e tyre përpara historisë së kësaj partie, duke zgjedhur të jenë në anën e gabuar të sheshit dhe të kohës. Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një shpallje platforme për të rikthyer shtëpinë ideologjike të së majtës te njerëzit. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat.
Ora e këtij rikthimi ka trokitur!







