Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë ka goditur jugun e Filipineve në orët e para të mëngjesit të së hënës, duke shkaktuar të paktën 15 viktima dhe 129 të plagosur, sipas bilancit paraprak të autoriteteve.
Lëkundja sizmike u regjistrua pranë brigjeve të qytetit General Santos në ishullin Mindanao. Instituti Filipinez i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë bëri të ditur se tërmeti kishte një thellësi prej vetëm 10 kilometrash, çka e bëri goditjen veçanërisht të fortë dhe të ndjeshme në sipërfaqe.
Pas tërmetit, autoritetet në Filipine, Indonezi dhe Japoni lëshuan paralajmërime për cunam, nga frika e krijimit të valëve të mëdha detare që mund të kërcënonin zonat bregdetare. Megjithatë, më vonë shumica e këtyre paralajmërimeve u hoqën, pasi ekspertët vlerësuan se rreziku ishte i kufizuar.
Në zonat e prekura janë angazhuar ekipe të shumta emergjence, të cilat po zhvillojnë operacione kërkim-shpëtimi, po ofrojnë ndihmë mjekësore për të plagosurit dhe po vlerësojnë dëmet e shkaktuara në banesa, infrastrukturë dhe objekte të tjera.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., deklaroi se ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore përkatëse të reagojnë menjëherë ndaj situatës së krijuar. Ai u bëri thirrje banorëve të zonave bregdetare dhe atyre që ndodhen në zona me rrezik të zhvendosen në vende më të larta si masë paraprake sigurie.
Autoritetet paralajmërojnë se pasgoditje të tjera mund të ndodhin në orët dhe ditët në vijim. Ndërkohë, bilanci i viktimave dhe i të plagosurve mbetet i përkohshëm dhe mund të ndryshojë ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në terren.







