Personazhet e showbiz-it shqiptar po e kthejnë në “modë” të shndërrohen gjithnjë e më shumë në ndërtues, investitorë dhe zhvillues strategjikë të projekteve milionëshe. Pas emrave të tjerë të njohur që kanë hyrë në botën e biznesit dhe pasurive të paluajtshme, duket se tashmë është radha e Donald Veshajt.
Moderatori, humoristi dhe këngëtari i njohur ka aplikuar për një leje ndërtimi në Vlorë përmes kompanisë “DGC” sh.p.k., të themeluar bashkë me Glenis Çobon. Projekti parashikon ndërtimin e një godine gjigante me funksion rezidencial dhe hotelier, me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë.

Shoqëria “DGC” është themeluar më 28 shkurt 2024 dhe sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, rezulton me një kapital prej vetëm 10 milionë lekësh të vjetra. Pavarësisht kësaj, kompania ka hyrë menjëherë në listën e projekteve të mëdha që po kërkojnë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Emri i kompanisë duket se lidhet me inicialet e Donald Veshajt dhe Glenis Çobos, ndërsa objekti i aktivitetit përfshin investime në ndërtim, projektim urbanistik, ndërtime civile, industriale dhe ekonomike.
Leja për kullën 33-katëshe është shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit më 29 prill, mes dhjetëra projekteve për hotele, resorte dhe godina banimi në vend.
Tashmë mbetet të shihet nëse kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT-së, do të japë miratimin përfundimtar për projektin e radhës që lidh edhe njëherë personazhet e showbiz-it me industrinë e ndërtimeve.







