Hantavirusi i Andeve ka mbërritur edhe në Holandë, duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për një virus të rrallë, por shumë të rrezikshëm, që lidhet me një shpërthim në anijen turistike MV Hondius. Një stjuardesë është shtruar në spital pasi kishte pasur kontakt me një pasagjere 69-vjeçare, e cila humbi jetën në fund të prillit nga ky virus.
Rasti ka marrë vëmendje të madhe, sepse bëhet fjalë për llojin Andes, një variant i Hantavirusit që gjendet kryesisht në Amerikën e Jugut dhe që konsiderohet veçanërisht shqetësues, pasi ndryshe nga shumica e hantaviruseve, mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu në raste kontakti të afërt dhe të zgjatur.
Gruaja 69-vjeçare kishte qenë pasagjere në anijen turistike MV Hondius, e cila u nis nga Ushuaia, Argjentinë, më 1 prill. Pak ditë pas nisjes së udhëtimit, bashkëshorti i saj u sëmur rëndë dhe vdiq në bord.
Anija vijoi lundrimin deri më 24 prill, kur u ankorua në Shën Helena, territor i largët britanik jashtë vendit. Aty trupi i burrit u nxor në breg, ndërsa gruaja e shoqëroi dhe më pas udhëtoi drejt Johanesburgut.
Pas mbërritjes në Johanesburg, ajo u paraqit për të marrë një fluturim drejt Amsterdamit. Në atë moment kishte simptoma gastrointestinale dhe gjendja e saj po përkeqësohej. Stafi i fluturimit u shqetësua për gjendjen e saj dhe vendosi të mos e lejonte të udhëtonte.
Gruaja mbeti në Johanesburg dhe mëngjesin e ditës pasuese u dërgua me urgjencë në spital, ku më pas humbi jetën. Testet PCR konfirmuan pas nëntë ditësh se ajo kishte vdekur nga Hantavirusi, ndërsa më vonë u identifikua edhe lloji Andes.
Hantaviruset janë një grup virusesh që zakonisht mbarten nga brejtësit. Njerëzit mund të infektohen kur bien në kontakt me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar, sidomos kur grimcat e kontaminuara përhapen në ajër dhe thithen.
Virusi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë në mushkëri dhe zemër. Simptomat e para shpesh ngjajnë me ato të infeksioneve të zakonshme, si temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, të përziera, të vjella ose probleme gastrointestinale. Në rastet më të rënda, gjendja mund të përkeqësohet me vështirësi në frymëmarrje dhe komplikacione serioze.
Rrezikshmëria e tij varet nga lloji i virusit dhe nga gjendja e pacientit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Amerikë hantaviruset mund të shkaktojnë sindromën kardiopulmonare, një formë e rëndë e sëmundjes, me vdekshmëri që mund të arrijë deri në 50%.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore europiane theksojnë se rreziku për popullatën e gjerë mbetet shumë i ulët. Sipas ECDC, shumica e hantaviruseve nuk përhapen nga njeriu te njeriu, ndërsa përjashtim bën virusi Andes, ku transmetimi është raportuar kryesisht pas kontakteve të afërta dhe të zgjatura.
Në rastin aktual, autoritetet po hetojnë nëse infektimet lidhen me ekspozimin ndaj mjedisit, me kontaktin mes personave të prekur, apo me të dyja rrugët e mundshme. Sipas transmetuesit lokal RTL, stjuardesa që kishte pasur kontakt me pasagjeren ka zhvilluar simptoma të lehta dhe është shtruar në spital në Holandë për ndjekje mjekësore.








