Nëna e njërit prej fëmijëve që humbi jetën në aksidentin tragjik në Durrës ka rrëfyer momentet e fundit me të birin, vetëm pak çaste para ngjarjes që tronditi vendin.
Në një lidhje live për emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ajo tregoi se atë ditë kishte qenë me djalin në kishë, ku kishin ndezur qirinj dhe kishin kaluar disa momente të qeta bashkë. Pas kthimit në shtëpi, djali kishte ngrënë bukë dhe më pas i kishte kërkuar leje të dilte për të marrë një akullore dhe për të luajtur me shokët pranë banesës.
“Ne sa ishim nisur për në kishë, arritëm në kishë e ndezëm qirinjtë me djalin. Djali u gëzua se ndezi qirinjtë dhe atje kaloi një ditë të bukur dhe të mirë me fëmijët. U kënaqën fëmijët. Kur erdhëm në shtëpi ishte ora 1, i bëra bukë djalit, më kërkoi bukë. Sa hëngri bukë djali, tha mami do të dal përjashta, do marr një akullore. Sa doli djali unë u futa brenda. Nuk vonohem tha mami. I thashë, ku do shkosh? Pesë minuta më tha mami se do dal tha, me shok. I thashë, mos vono nuk vono moj mami. E di, tha, nuk vonohem. Më ke merak më tha. Thirrja ime është që ta fusin në burg, ai lloj krimineli nuk meriton të rrijë i lirë, Ai kriminel duhet të rrijë në burg për jetë dhe jo ta nxjerrin përjashta sa herë t’iu dojë qejfi”, tha ajo.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Nikoll Radaçi, duke drejtuar një “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, të cilët ndodheshin në trotuar.
Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën në vend, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Sipas policisë, Radaçi rezultoi në gjendje të dehur, me nivel alkooli 0.73 mg/l. Pas aksidentit ai u largua nga vendngjarja, ndërsa më herët i ishte pezulluar dy herë leja e drejtimit, në vitet 2020 dhe 2022.







