Një denoncim i emisionit “Stop” ka ngritur dyshime për manipulim të një konkursi për mjekë në QSUT.
Çështja lidhet me një pozicion nefrologeje në Pediatrinë e Tiranës, shpallur më 13 shkurt 2026. Sipas kritereve, kandidatët nuk mund të merrnin pjesë në konkurs nëse ishin në marrëdhënie pune me një institucion publik. Për këtë arsye, fillimisht u skualifikuan dy mjekë.
Por sipas denoncimit, brenda pak ditësh procedura u përmbys. Konkursi u anulua, ndërsa një prej kandidatëve të skualifikuar u rikualifikua dhe më pas u emërua në detyrë.
“Pasi u skualifikuan dy mjekët për shkak të marrëdhënies së punës, brenda një jave gjithçka u përmbys. Njëra nga kandidatet paraqet dorëheqje në një moment kur kjo nuk mund të pranonte efekt juridik për këtë procedurë. Kjo është një padrejtësi e pastër”, është shprehur mjekja e dëmtuar për “Stop”.
Verifikimet e emisionit tregojnë se mjekja fituese ishte larguar nga spitali i Kavajës prej rreth një muaji, ndërsa në Pediatrinë e Tiranës kishte nisur punë vetëm prej një jave. Kjo ka ngritur dyshime se dorëheqja është formalizuar pasi pozicioni i ri ishte siguruar.
Avokati i mjekes, Klaudio Zholi, thotë se QSUT ka shkelur udhëzimin 205 të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kandidati nuk duhet të jetë në marrëdhënie pune në momentin e aplikimit.
Rasti ngre dyshime serioze për deformim të garës dhe për një konkurs me fitues të paracaktuar. Organet përgjegjëse duhet të verifikojnë procedurën dhe të përcaktojnë nëse janë shkelur kriteret ligjore të konkurrimit.








