Vrasja e dy fëmijëve në Durrës dhe plagosja e një të mituri tjetër ka sjellë masa të menjëhershme në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Pas ngjarjes së rëndë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra tre drejtues të Policisë së Durrësit, ndërsa është hapur edhe hetim disiplinor për përgjegjësitë.
Nga detyra janë pezulluar drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa, zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj, si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kryekomisar Kreshnik Skëndo. Sipas njoftimit zyrtar, masa është marrë për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit.
Menjëherë pas aksidentit fatal, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi ngritjen e një grupi ekspertësh nga Drejtoria e Policisë Rrugore, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të verifikuar nëse ka pasur shkelje apo përgjegjësi nga punonjësit e policisë në lidhje me këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik.







