Një zhvillim pozitiv vjen pas aksidentit tragjik që tronditi Durrësin, ku 8-vjeçari i plagosur rëndë ka përmirësuar gjendjen shëndetësore dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i mituri ka kaluar momentin kritik dhe pritet të transferohet në pavion, ndërsa do të vijojë të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në zonën e ish-Kënetës, në lagjen nr. 15, ku një automjet përplasi tre fëmijë të mitur. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Viktimat janë identifikuar si Kles Nikolli, 9 vjeç dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, dy fëmijë të cilëve jeta iu ndërpre tragjikisht në këtë aksident.
I mituri i plagosur, shoku i tyre 8-vjeçar, u transportua fillimisht në gjendje kritike drejt Tiranës, por sipas mjekëve, ai ka reaguar pozitivisht ndaj trajtimit.
Ndërkohë, prindërit e 9-vjeçarit Kles Nikolli ndodheshin në Itali, pasi babai i tij po kurohej nga një sëmundje.
Shkaktar i aksidentit dyshohet të jetë 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili është arrestuar nga policia. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, ndërsa drejtonte automjetin tip “Benz” me të cilin përplasi fëmijët.
“Më vrisni nuk meritoj të jetoj, dua të vras veten, jam i tronditur nuk mbaj mend asgjë, isha i dehur mora në qafë fëmijët”, ka deklaruar Radaçi pas ndalimit nga policia.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije: “Të dielën, rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç. Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.”








