Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Durrës nxjerrin në pah një fakt tronditës: 57-vjeçari që shkaktoi ngjarjen e rëndë rezulton se i ishte hequr më herët leja e drejtimit në dy raste, për shkelje të rënda të qarkullimit rrugor.
Policia e Durrësit, në informacionin përfundimtar për aksidentin e ndodhur më 3 maj 2026 në lagjen nr. 15, bën me dije se shtetasi N. R., i arrestuar në flagrancë, kishte precedentë për parakalim të gabuar dhe tejkalim shpejtësie, shkelje për të cilat i ishte pezulluar patenta në vitin 2020 dhe dy herë në vitin 2022.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:10 në rrugën “Ohri”, ku 57-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën dy të mitur, 12 dhe 10 vjeç, ndërsa 8-vjeçari u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, me rezultatet e testit të alkoolit 0.73 mg/l dhe 0.70 mg/l. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i aksidentit, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por u kap më pas nga patrulla e policisë.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i aksidentit dyshohet të jetë humbja e kontrollit si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur. Ndaj 57-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.








