Të ardhurat për frymë në Shqipëri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, por kjo rritje nuk është përkthyer në mirëqenie për një pjesë të madhe të familjeve. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka nivelin më të lartë në Europë të familjeve në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Në vend, 44.5% e familjeve me fëmijë dhe 37% e familjeve pa fëmijë rezultojnë të rrezikuara nga varfëria ose përjashtimi social. Kjo do të thotë se ato jetojnë me të ardhura të ulëta, përballen me mungesa të rënda materiale dhe sociale, ose kanë shumë pak punësim brenda familjes.
Treguesi është shumë më i lartë se mesatarja europiane. Në Europë, 22.1% e familjeve me fëmijë dhe 19.8% e familjeve pa fëmijë janë në këtë kategori, ndërsa mesatarja e përgjithshme është 20.9%.
Edhe pse ekonomia shqiptare ka shënuar rritje dhe treguesit makroekonomikë janë paraqitur të qëndrueshëm, të dhënat tregojnë se zhvillimi nuk ka qenë gjithëpërfshirës. Një pjesë e madhe e qytetarëve ende nuk përballon dot faturat, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimin e rregullt apo nevoja të tjera bazë.
Sipas FMN-së, të ardhurat për frymë në Shqipëri për vitin 2026 janë 12.5 mijë dollarë, nga 4.1 mijë dollarë në vitin 2010. Shqipëria ka kaluar Maqedoninë e Veriut në këtë tregues, pasi ajo rezulton me rreth 12 mijë dollarë për frymë. Megjithatë, fuqia blerëse e shqiptarëve mbetet më e ulët.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria vijon të ketë nivel më të lartë varfërie. Në Mal të Zi, në rrezik varfërie janë 23% e familjeve pa fëmijë dhe 34.8% e atyre me fëmijë. Në Serbi, treguesit janë 27.6% dhe 21.4%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 24.4% dhe 29%.
Eurostat e përkufizon rrezikun e varfërisë si jetesë me të ardhura nën 60% të medianës kombëtare, pas transfertave sociale. Ndërsa privimi i rëndë material dhe social nënkupton pamundësinë për të përballuar të paktën 7 nga 13 nevoja bazë.
Në vitin 2025, rreth 92.7 milionë persona në BE ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Bullgaria, Greqia dhe Rumania kishin nivelet më të larta në BE, por Shqipëria rezulton edhe më keq në krahasimin europian.







