Është firmosur këtë të mërkurë marrëveshja mes kompanisë italiane Fincantieri dhe kompanisë shqiptare KAYO për ndërtimin e anijeve në Pashaliman, në Vlorë. Këto anije do të përdoren nga ushtria shqiptare, por do të prodhohen edhe për vendet aleate.
Drejtori i KAYO, Ardi Veliu, tha se projekti do të ndihmojë në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe në zhvillimin e industrisë detare në vend.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se përfitimet nuk janë vetëm për ushtrinë, por edhe për ekonominë. Sipas tij, Shqipëria do të kthehet në një bazë europiane e Fincantieri për prodhimin e anijeve të vogla dhe të mesme.
“Është një vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për eksportin. Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e Ficantieri për anijet e vogla dhe të mesme”, tha ai.
Sipas ministrit, në këtë kantier të ri pritet të punësohen rreth 400 persona dhe investimi do të sjellë teknologji moderne në Vlorë.
“Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri. Është një kantier i fjalës së fundit të teknologjisë që do të zhvillohet në Vlorë. Jam i bindur që kjo shoqëri e re që do të krijohet do të jetë krenari për ne”, u shpreh Nufi.








