Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv Roven Zekën, ish-shef i Qarkullimit Rrugor në Tiranë, pasi nuk u provua se ai ka kryer veprën penale. Me këtë vendim, gjykata ka vendosur edhe heqjen e masës së “arrestit të shtëpisë” ndaj tij.
Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë është vendosur dënim me burg. Edison Tabaku u dënua me 3 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 2 vite burg. Sokol Navaku u dënua gjithashtu me 3 vite burg, të reduktuara në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, por ky dënim u konvertua në shërbim prove.
Erges Vrioni u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar u ul në 1 vit dhe u konvertua në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Vendimi i gjykatës shënon përfundimin e një procesi të ndjekur për akuzat e korrupsionit në radhët e Policisë Rrugore.
Roven Zeka ishte arrestuar më 19 prill me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Në të njëjtën kohë, SPAK lëshoi urdhërarrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Navaku, si dhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Sipas hetimeve, ata akuzoheshin për korrupsion në një rast ku dyshohet se janë mbuluar pasojat e një aksidenti rrugor, në të cilin nga përplasja e dy automjeteve përfunduan në spital 5 persona.
Zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohej se kishin kërkuar dhe marrë një shumë prej 2 mijë eurosh nga biznesmeni Ergest Vrioni, për të mos arrestuar bashkëshorten e tij, e cila kishte shkaktuar aksidentin më 16 prill.
Deri më tani, nuk ka një informacion zyrtar mbi gjendjen e pesë personave të plagosur në këtë aksident.








