Ervin Mata, i akuzuar nga SPAK për trafikimin e tonelatave kokainë, pritet të ekstradohet nga Brazili drejt Shqipërisë. Ai ishte vënë nën monitorim prej më shumë se dy vitesh nga autoritetet shqiptare, ndërsa dyshohet se lëvizte mes Brazilit dhe Paraguajit me dokumente të falsifikuara.
Në momentin e arrestimit nga policia braziliane, Matës iu sekuestruan disa dokumente false. Sipas burimeve, ai mbante një pasaportë bullgare të falsifikuar, të skaduar në vitin 2024, si dhe një kartë identiteti bullgare të vlefshme deri në vitin 2029, po ashtu të falsifikuar. Autoritetet i gjetën edhe një kartë identiteti të Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar. Ky dokument dyshohet se përdorej për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine.
Mata u arrestua së bashku me disa persona të tjerë. Burime bëjnë me dije se ai shoqërohej me individë nga grupe kriminale paraguajane, çka ka ngritur dyshime për lidhje të forta me rrjete trafiku në atë zonë. Hetuesit dyshojnë se ai kishte krijuar një bazë lëvizjeje mes Paraguajit dhe Brazilit, pasi rezultojnë hyrje-dalje të shumta në këto vende.
Identiteti i tij u konfirmua nga Interpol, pas fotografisë së dërguar nga autoritetet braziliane. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Mata shoqërohej edhe me shtetas shqiptarë, të cilët i mbante pranë për aktivitete kriminale.
Në vitin 2023, SPAK e shpalli Matën në kërkim si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, mes tyre edhe djali i Erzen Breçanit. Grupi dyshohet për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Sipas SPAK, Mata akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit për trafikimin e 250 kg kokainë, të nisur nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, episod i ndodhur në fund të shtatorit 2020.
Tre vite më parë, GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet janë shtrirë edhe mbi disa ngjarje kriminale të ndodhura më herët në Shqipëri. Grupi ku dyshohet se bënte pjesë Mata është nën hetim edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipëri, si dhe për raste të pastrimit të parave.
Ervin Mata është emër i njohur për drejtësinë edhe për shkak të përplasjes me Ervis Martinajn në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Konflikti mes dy grupeve rivale përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës.








