Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, është rikthyer në Policinë e Shtetit, ku ka marrë një detyrë të rëndësishme.
Hajnaj është emëruar në krye të Departamentit për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit. Vendimi është marrë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Sipas ligjit për Policinë e Shtetit, Hajnaj duhej të rikthehej në të njëjtën detyrë ku kishte shërbyer më parë. Mosrikthimi i saj nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e çoi çështjen në Gjykatën Administrative.
Vendimi i kësaj gjykate solli më pas anulimin e garës për drejtimin e departamenteve në Policinë e Shtetit.
Mandati i Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundoi më 31 gusht 2025. Në shtator, KLP e liroi atë nga detyra.
Para se të emërohej drejtuese e BKH-së, Aida Hajnaj mbante postin e Zëvendësdrejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.








