Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta lidhur me hapjen e “Jet Bank”, duke deklaruar se projekti për bankën e parë digjitale në Shqipëri është përgatitur prej vitesh nga qeveria dhe përbën rrezik serioz për sistemin bankar.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në “Syri TV”, Këlliçi u shpreh se kjo nismë nuk është e re, por një plan që sipas tij ka rreth 6 vite që diskutohet dhe synon të ndikojë drejtpërdrejt në kontrollin e sektorit bankar në vend.
Ai theksoi se ka nisur verifikimet që në muajin dhjetor dhe në janar i është drejtuar zyrtarisht Bankës së Shqipërisë me një letër nga Kuvendi, ndërsa shtoi se çështja kishte qarkulluar prej kohësh në mënyrë informale në Tiranë.
“Kam filluar të hulumtoj rreth muajit dhjetor dhe në janar i jam drejtuar zyrtarisht Bankës së Shqipërisë me letër nga Kuvendi i Shqipërisë. Politikisht, kjo kishte rreth një vit që qarkullonte në rrugë informale në Tiranë. Siç e tha edhe kryedemokrati Sali Berisha, ka rreth 6 vite që kryeministri Edi Rama po përpiqet të hapë bankën e parë digjitale në Shqipëri. Nuk jam kundër digjitalizimit dhe zhvillimit, por jam kundër kapjes së sistemit tonë bankar, ekspozimit të sistemit tonë bankar ndaj personave me zero eksperiencë apo edhe rreziqeve të mëdha. Veçanërisht, pasi ne kemi hapur dy nga grupkapitujt, 1 dhe 2, që lidhen edhe me tregun e brendshëm dhe duhet kuptuar se në momentin që Shqipëria do të integrohet në Bashkimin Europian, çdo institucion bëhet pjesë e tregut të BE-së, edhe bankat bëhen pjesë”, deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, miratimi i “Jet Bank” në këtë fazë përbën një hap të rrezikshëm edhe në raport me procesin e integrimit europian, pasi prek drejtpërdrejt kapitujt që lidhen me tregun e brendshëm dhe funksionimin e ekonomisë.
Këlliçi ngriti shqetësimin se një vendim i tillë mund të ekspozojë sistemin bankar ndaj rreziqeve të mëdha dhe të dëmtojë standardet që kërkohen në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar të papranueshme çdo ndërhyrje që, sipas tij, synon kapjen e këtij sektori.








