Kompleksi i pallateve që u përfshi nga flakët mesditën e kësaj të marte në Tiranë, i ndërtuar nga kompania “Arlis SHPK” në pronësi të Armand Lilos, rikthen në vëmendje një precedent të rëndë, pasi e njëjta godinë është përfshirë nga zjarri edhe në vitin 2021.
Blloku i pallateve, i vendosur pranë tregut të Medresesë dhe konvikteve të Mjekësisë, në zonën e Farmacisë nr. 10, u përfshi nga flakë që përpinë me shpejtësi fasadën e ndërtesës, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe duke ekspozuar seriozisht sigurinë e këtij kompleksi.
Zjarri u përhap me ritme të shpejta, duke vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Banorët u detyruan të evakuohen në kushte paniku, ndërsa disa prej tyre u nxorën nga ballkonet për të shpëtuar. Raportohet se disa persona janë transportuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e ndërtimit dhe masat e sigurisë në këtë kompleks, sidomos duke pasur parasysh faktin se nuk është rasti i parë. Në vitin 2021, kur pallati ishte ende në ndërtim, fasada e tij u përfshi nga flakët në një incident të ngjashëm.
Përsëritja e një ngjarjeje të tillë në të njëjtin kompleks thellon dyshimet mbi cilësinë e punimeve dhe kontrollet e kryera, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë për shkaqet e zjarrit të sotëm.







