Një moment tensioni u regjistrua sot në Tiranë, gjatë Samitit të Diasporës, ku një ish-minator nga Bulqiza që jeton në emigrim u përplas me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, teksa ngriti shqetësime për pronat, ligjin 7501 dhe statusin e minatorit.
Gjatë diskutimit në një prej paneleve, emigranti foli fillimisht për problemet që, sipas tij, vazhdon të krijojë ligji 7501 për pronat e trashëguara. Ai tha se shumë familje, që dikur kanë qenë të larguara nga vendlindja për shkak të punës në shtet, nuk arritën të kryenin dokumentacionin individual sipas këtij ligji.
Balla iu përgjigj se “Paketa e Maleve” është menduar pikërisht për t’u dhënë zgjidhje rasteve të tilla, duke u shprehur se pronarët e tokave të trashëguara mund të përfitojnë përmes kësaj skeme. Por minatori kundërshtoi, duke thënë se problemi i tij nuk lidhet me ndërtimin në zonat malore, por me tokën e trashëguar nga i ati.
Debati vijoi edhe për procedurat që duhet të ndiqen për kërkesat mbi pronën. Balla i tha se nuk duhet t’i drejtohet noterit, por këshillit bashkiak, ndërsa emigranti këmbënguli se kërkesën e kishte bërë prej vitesh pa marrë zgjidhje.
Më pas, ish-minatori ngriti edhe një tjetër shqetësim të fortë, atë të mungesës së statusit të minatorit, një premtim që sipas tij është dhënë prej vitit 2013 dhe ende nuk është mbajtur. Ai kujtoi se minatorët e Bulqizës kanë dhënë mbështetje politike me shpresën se do të merrnin zgjidhje, por deri më sot, sipas tij, nuk ka asnjë rezultat konkret.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe një deklaratë fyese, duke thënë se një deputet i ka krahasuar minatorët me balerinat e operës, gjë që e cilësoi si ofendim të rëndë. Ndërsa tentoi të vijonte fjalën, në sallë pati ndërhyrje për t’i ndërprerë mikrofonin, çka e acaroi më tej situatën.
Në fund, emigranti iu drejtua përfaqësuesve të politikës me tone të drejtpërdrejta, duke deklaruar se diaspora ka dhënë kontribut të madh për vendin dhe se ndërtimi i Shqipërisë nuk bëhet pa të.








