Kolegjet e Bashkuara të Gjykata e Lartë zhvilluan një mbledhje pas shumë vitesh për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me vendosjen e masës së arrestit me burg, një çështje që prek drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë në vend.
Në lidhje me këtë zhvillim reagoi analisti Arian Curri, i cili e cilësoi situatën si një “valle hipokrizie”. I ftuar në emisionin Top Story, ai deklaroi se nuk ka vullnet real politik për të ndryshuar praktikën aktuale të paraburgimit.
Curri theksoi se as Edi Rama dhe as Sali Berisha nuk kanë interes për të ndërhyrë në këtë çështje. Sipas tij, situata mbetet e njëjtë pasi mungon vullneti për të reformuar mënyrën se si vendoset masa e arrestit me burg.
Duke iu referuar rasteve konkrete si Ilir Meta dhe Erion Veliaj, të cilët i cilësoi si të paraburgosur “VIP-a”, Curri u shpreh se këta persona nuk kanë gjasa të lirohen.
“Për mua janë të gjithë në një valle hipokrizie të tmerrshme, sepse askush nuk do ta vendosë këtë padrejtësi të madhe në vend. Askush nga këta nuk do ta bëjë. As Rama sepse do ndryshonte ligjin procedural, as gjykata e ulët se thonë populli i do në burgim, t’i lëmë në burg, thonë të shkojnë në Strasburg. As gjykata e lartë vetë nuk do ta bëjë, se dhe kur kanë shkuar këta me rekurs, ajo i ka lënë në burg. As Gjykata Kushtetuese nuk do ta bëjë.
“Ekziston perceptimi edhe për një vëzhgues të jashtëm që Ilir Meta mund t’i ketë kryer këto veprime”. Ky është një sistem jashtëzakonisht idiotesk nga gjykata e ulët te kushtetuesja, vë duart në kokë, në këtë vend gjykohesh me opinion, perceptim. Është lëmsh i madh.
Tani për mua e vetmja mënyrë është ta bëjë mazhoranca dhe opozita, të ndërhyjnë në kodin penal. Po a kanë ata realisht interes për këta VIP-a që ju shfaqët aty? Nuk e besoj që po sepse këta VIP-a janë akoma të rrezikshëm po dolën. S’ka për të dalë asnjë nga këta. Berishës dhe Ramën nuk i intereson të dalin këta nga paraburgimi”, u shpreh Curri.
Sipas tij, e vetmja rrugë për ndryshim mbetet ndërhyrja në Kodin Penal nga politika, por ai nënvizon se mungesa e interesit nga aktorët kryesorë e bën të pamundur lirimin e figurave të rëndësishme që ndodhen aktualisht në paraburgim.








