Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-kreut të menaxhimit të fondeve të BE-së, Ilir Beqaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke e lënë sërish në burg.
Pas 21 muajsh në qeli, Beqaj kishte ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh në këmbim të lirisë, gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më 31 mars. Në të njëjtën datë, GJKKO rrëzoi edhe kërkesën për liri të bashkëpunëtorit të tij, Ermal Kurtulaj, edhe pse edhe ai kishte ofruar garanci pasurore.
Beqaj dhe Kurtulaj ndodhen në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestuan në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohje të hershme pasi kishin qenë ortakë te shoqëria Intech+, që gjatë viteve 2022-2023 të zbatonte prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE-së për projektet e EUSAIR. Sipas akuzës, paratë e këtyre projekteve përfundonin në xhepat e Beqajt.
Hetimet e SPAK thonë se tenderat bëheshin vetëm për efekt dokumentacioni dhe më pas shoqëroheshin me lidhje dhe zbatim kontratash me kompani të ndryshme.
Beqaj akuzohet për pesë vepra penale në dosjen e SASPAC, mes tyre korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie. Ky i fundit lidhet me 50 për qind të kuotave të restorantit “Gzona”, i njohur edhe si “Albanian Food and Hospitality Lab”, një apartament në Vlorë dhe një makinë.
Ndërkohë, ndaj Beqajt vijon paralelisht edhe procesi tjetër për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka vendosur sekuestro preventive ndaj apartamentit të dyshuar si të fshehur nga Beqaj, tre llogarive bankare të të pandehurve me vlerë totale rreth 200 mijë euro, 19.4 për qind të aksioneve të “Gzona” dhe tre makinave.








