Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar për herë të parë lidhur me deklaratat e babait të Ervis Martinaj, i cili pak ditë më parë pretendoi publikisht se djali i tij është ekzekutuar në Durrës.
I pyetur nga gazetarët për misterin që vijon të rrethojë zhdukjen e Martinajt, ministri nuk dha asnjë informacion konkret mbi hetimet, duke theksuar se si titullar politik nuk mund të përfshihet në çështje operative.
“Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacinale Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, u shpreh Lamallari.
Deklarata e tij vjen pas qëndrimit të fortë të Mustafa Martinaj, i cili, gjatë paraqitjes në Gjykatën e Posaçme, ngriti akuza të drejtpërdrejta për mënyrën si po trajtohet çështja nga institucionet e drejtësisë.
“Djali im është ekzekutuar në Durrës. Jam babai i tij, ndaj e di. Për këtë çështje kam dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time. Kam ardhur vetë 2 muaj pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022”, deklaroi Mustafa Martinaj.
Ai shtoi se sipas tij, fatin e të birit e dinë të gjithë, përveç mediave dhe prokurorisë, duke lënë të kuptohet për dyshime mbi ecurinë e hetimeve.
Zhdukja e Ervis Martinaj mbetet një nga çështjet më të paqarta në vend, ndërsa hetimet vijojnë pa një version zyrtar përfundimtar mbi fatin e tij.







