Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar këtë të mërkurë Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it ndaj Turqisë.

Në takim morën pjesë edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, trajneri Franco Foda, si edhe futbollistët Vedat Muriqi dhe Valon Berisha.
Gjatë fjalës së saj, Osmani vlerësoi përkushtimin, disiplinën dhe sakrificën e treguar nga ekipi në çdo ndeshje, duke theksuar se Dardanët e kanë përfaqësuar shtetin e Kosovës në mënyrën më të denjë në arenën ndërkombëtare. Ajo nënvizoi se, pavarësisht humbjes 0 me 1 ndaj Turqisë, Kombëtarja mbetet në piedestalin më të lartë për krenarinë që i ka dhuruar popullit të Kosovës.
Osmani shprehu gjithashtu bindjen se rruga e Kombëtares së Kosovës do të vijojë të jetë edhe më e suksesshme në të ardhmen, duke e cilësuar ekipin si një burim krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.
“Me nderin më të lartë të republikës së Kosovës, sot dekorojmë ekipin kombëtar të Kosovës në futboll, një ekip që me përkushtim, disiplinë dhe shpirt të jashtëzakonshëm ka përfaqësuar në mënyrën më të denjë të mundshme shtetin tonë në arenën ndërkombëtare. Sot me këtë dekoratë, republika e Kosovës e nderon punën, mundin, djersen e secilin prej jush. E nderon rezultatin tuaj, por mbi të gjitha e nderon krenarinë që ja keni dhënë secilin shqiptar, pavarësisht se ku jeton”, tha Osmani.







