Debatet dhe tensionet brenda Partisë Socialiste kanë rikthyer në qendër të vëmendjes mënyrën se si Edi Rama ka trajtuar ndër vite zërat kritikë brenda forcës së tij politike. Në mes të këtyre përplasjeve, ku së fundmi është folur edhe për raportin e tij me Elisa Spiropalin, ish ministri dhe ish deputeti Arben Malaj ka reaguar me një koment të gjatë publik, ku sjell episode nga përvoja e tij personale në PS dhe lëshon akuza të forta ndaj kryeministrit.
Malaj e përshkruan Ramën si një drejtues që, sipas tij, ka tentuar që në fillim të imponojë disiplinë ushtarake në parti, duke goditur hapësirat e lirisë së fjalës, konkurrimit dhe demokracisë së brendshme. Sipas ish deputetit socialist, kryeministri nuk i harron kundërshtarët dhe i trajton ata si armiq personalë.
Komenti i plotë i Arben Malajt:
“Rama gjithnjë ka dashur t’i përjashtojë ata që e kundërshtojnë. Problemi qëndron te të gjithë të tjerët që heshtin dhe nuk e kundërshtojnë Ramën në sjelljen si aga i fshatit.
Sapo Rama erdhi në krye të PS-së, ai e dinte që nuk mund ta drejtonte dot partinë më të madhe politike, më demokratiken dhe më modernen me hapësirat demokratike që kishte liria e fjalës, konkurrimi dhe promovimi.
Sapo Rama u bë kryetar i PS-së, ai aktivizoi aparaturat bllokuese për celularët.
Kjo nuk na kishte ndodhur në PS as në periudhën më të vështirë në opozitë, 1992-1997.
Rama, në mbledhjen e parë me grupin parlamentar të PS-së, kërkoi të impononte rregullat e disiplinës ushtarake.
Rregulla që cenojnë demokracinë e brendshme, të cilat nuk duhet as të mendohen dhe as të aplikohen në partitë politike.
Në atë moment u shpreha publikisht në media se: ‘PS-ja nuk mund të jetë repart ushtarak’.
Në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar, dikush provokoi këtë debat duke pyetur pse kisha folur publikisht kundër kryetarit.
Atij iu përgjigja me zë të qartë. Rama më urdhëroi të dilja jashtë nga mbledhja, me argumentin se kisha folur pa leje.
E përsëriti disa herë ‘urdhrin ushtarak: dil nga rreshti/mbledhja’. Vazhdoja qetësisht të mos dilja.
Pas pak kërcënoi duke thënë: ‘O del ti nga mbledhja, o dal unë’.
Qetësisht iu përgjigja se: unë ju them mos dilni, por unë nuk do të dal, edhe sepse kam ardhur në PS para jush.
Papritur u hodh një deputet i ri i Tiranës, i preferuar i tij, dhe më tha: ‘Si i flet kështu kryetarit?’.
Atij iu ktheva vlonjatçe dhe i thashë: ‘S’ke faj ti pse e mbron atë, se të mori nga rruga dhe, pa asnjë profil dhe kontribut publik, të bëri deputet’.
Pas këmbënguljes sime, Rama doli për pak minuta dhe mbledhja u shty.
Pas asaj përplasjeje parimore, Rama nuk më kërkoi më asnjëherë të më nxirrte nga mbledhjet.
Por ligësinë e tij primitive e përdori në jo pak raste.
Kujdes: Rama është shpirtlig dhe një hakmarrës primitiv. Ai nuk do të harrojë kurrë këdo që nuk i nënshtrohet pa kushte.
Kundërshtarët e tij do të trajtohen si armiqtë e tij.
Rama do t’i përndjekë si hije vrastare, të ushqyera nga ADN-ja e tij plot urrejtje dhe pashpirtësi primitive.
Zgjohuni përpara se të jetë vonë”.
Reagimi i Malajt vjen në një moment kur brenda Partisë Socialiste po shtohen zërat për tensione, pakënaqësi dhe përplasje të brendshme, duke e kthyer edhe një herë vëmendjen te mënyra se si është ushtruar lidershipi në këtë forcë politike ndër vite. Deklarata e tij është një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Ramës dhe një thirrje e hapur për ata socialistë që, sipas tij, vazhdojnë të heshtin.







