Vendimi i Bordit të Transparencës për uljen e çmimeve të karburanteve ka sjellë reagime të forta nga tregu, ku përplasja mes politikës së çmimeve dhe kostove reale po thellohet. Ndërsa Konfindustria kërkon uljen e menjëhershme të barrës fiskale, importuesit paralajmërojnë se me çmimet aktuale po detyrohen të operojnë nën kosto, duke rrezikuar pezullimin e importit dhe furnizimit me shumicë.
Konfindustria ka mbështetur vendimin e qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan përmes Bordit të Transparencës, duke e cilësuar si një ndërhyrje të nevojshme në kushtet e krizës ndërkombëtare. Sipas saj, fakti që çmimet e vendosura janë mbi 8% më të ulëta tregon hapësira të mëdha për spekulime në treg dhe nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme.
Megjithatë, organizata i kërkon qeverisë që ndërhyrja të mos mbetet vetëm te kontrolli i çmimeve, por të shoqërohet urgjentisht me uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve, duke i sjellë ato në nivelet mesatare të rajonit. Po ashtu, Konfindustria kërkon krijimin e një Enti Rregullator të Karburanteve, rishikimin e strukturës së tregut që sipas saj shfaq elementë karteli dhe oligopoli, si dhe ndërtimin e një rafinerie që të përpunojë naftën vendase për të mbuluar të paktën 30% të nevojave të vendit.
Në të njëjtën kohë, importuesit e mëdhenj të karburanteve kanë reaguar me shkresa zyrtare drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke paralajmëruar masa të menjëhershme nëse situata nuk rishikohet.
Ata bëjnë të qartë se, për të shmangur shitjen nën kosto dhe humbjet e mëdha financiare, do të detyrohen të:
- Pezullojnë dhe kufizojnë shitjen me shumicë të naftës dhe benzinës
- Frenojnë dhe kufizojnë procesin e zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano
Sipas importuesve, problemi qëndron te mënyra e përllogaritjes së çmimeve nga Bordi i Transparencës, e cila bazohet në formulën e vitit 2022 dhe nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe kontratat reale me furnitorët.
Të dhënat e paraqitura prej tyre tregojnë një diferencë të ndjeshme mes kostove reale dhe çmimeve të vendosura. Sipas përllogaritjeve:
- Kostoja aktuale për naftën është 206.2 lek/litër, ndërsa çmimi i vendosur në shumicë është 191 lek/litër
- Kostoja për benzinën është 169.7 lek/litër, ndërsa çmimi i vendosur është 163 lek/litër
Nëse llogaritet edhe një marzh minimal fitimi, çmimi i naftës duhet të ishte rreth 209.2 lek/litër dhe ai i benzinës 172.7 lek/litër. Diferenca rezulton 18.2 lek/litër për naftën dhe 9.7 lek/litër për benzinën, çka sipas tyre e bën të pamundur operimin pa humbje.
Importuesit kërkojnë mbledhjen urgjente të Bordit për rishikimin e çmimeve dhe metodologjisë, duke propozuar që përllogaritja të bëhet sipas kushteve CIF Med dhe me premiot përkatëse, si dhe të rishikohen marzhet bruto në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Reagimi i tyre shkon edhe më tej, duke theksuar se “kosto nuk mund të jetë ajo që cakton një bord, por ajo që është faktike, e provuar me kontratë, faturë të furnitorit e për rrjedhojë me vlerën e transaksionit… Asnjë Bord ose Ent nuk ka legjitimitet të urdhërojë një subjekt të shesë poshtë kostos”, sipas Luigj Aliaj nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.
Në të njëjtën linjë me këtë argument është edhe kërkesa për uljen e barrës fiskale, e cila sipas industrisë mbetet shkaku kryesor i çmimeve të larta në Shqipëri. Aktualisht, një shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa për litër naftë, që përbën 53% të çmimit final, ndërsa në vendet e rajonit kjo barrë është ndjeshëm më e ulët.
Ndërkohë, vendimi i Bordit ka reflektuar menjëherë në tregun me pakicë, ku çmimi i naftës ka zbritur nga 214 në 203 lekë për litër dhe ai i benzinës nga 199 në 175 lekë për litër.
Megjithatë, përballë këtyre zhvillimeve, mesazhi që vjen nga tregu është i qartë: nëse çmimet mbeten të pandryshuara dhe barra fiskale nuk ulet, furnizimi me karburante rrezikon të kufizohet, pasi importi në këto kushte kthehet në aktivitet me humbje.








