Ruben Saraiva, portugezi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është kthyer tashmë në një person nën alarm të lartë sigurie edhe brenda sistemit penitenciar shqiptar. Pak pasi Gjykata e Lezhës shpalli vendimin ndaj tij, dolën informacione se për eliminimin e tij në burg është vënë një shumë prej 500.000 eurosh, ndërsa Daily Mail ka publikuar edhe fotot e tij nga salla e gjyqit, duke shkruar se ai ishte paguar 1 milion paund për të kryer vrasjen e Nikulajt.

Saraiva u dënua me burg përjetë nga gjyqtari Lirim Bulica për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe për posedim të paligjshëm të armëve. Në sallën e gjyqit ai u paraqit nën masa të jashtëzakonshme sigurie, i shoqëruar nga forca të armatosura të Operacionales së Burgjeve, ndërsa perimetri i Gjykatës së Lezhës u mbajt i rrethuar nga efektivë të policisë kriminale dhe të Forcave Shqiponja.
Sipas të dhënave të publikuara nga TCH, për kokën e Saraivës është ofruar një shumë prej 500.000 eurosh, me dyshimin se pas këtij plani qëndrojnë persona që druhen se ai mund të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare dhe të zbulojë kush e rekrutoi dhe kush e pagoi në Angli për të ardhur në Shqipëri si vrasës me pagesë. Pas mbërritjes së këtij informacioni në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, 31-vjeçari u vendos menjëherë në regjim strikt izolimi, i ndarë nga të burgosurit e tjerë.
Në sallën e gjyqit, Saraiva qëndroi në kafazin me fasadë xhami, nën ruajtjen e gardianëve, ndërsa përballë tij ndodhej Rudina Nikulaj, bashkëshortja e Ardian Nikulajt, së bashku me disa miq të viktimës. Daily Mail shkruan se ai ishte i veshur me të zeza dhe tundi kokën në bankën e të akuzuarve në momentin kur iu komunikua vendimi se do të kalonte pjesën tjetër të jetës në një burg të sigurisë së lartë.
Sipas medias britanike, Saraiva kishte fluturuar nga Londra në Shqipëri dy muaj para krimit të prillit 2023 si pjesë kyçe e një bande vrasësish britanikë, ku sipas pretendimeve të prokurorëve përfshihej edhe një nënë e re nga Bristoli. Po sipas Daily Mail, ai ishte paguar 1 milion paund për të realizuar ekzekutimin e biznesmenit shqiptar.
Artikulli ngre gjithashtu dyshimet e prokurorëve se vrasja është organizuar nga një anëtar i një familjeje rivale shqiptare që jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas këtij versioni, rivalët dyshonin se Ardian Nikulaj, baba i katër fëmijëve, kishte vrarë një prej të afërmve të tyre në kuadër të një hasmërie që kishte zgjatur afro tre dekada dhe që, sipas pretendimeve, ka marrë nëntë jetë. Prokurorët dyshojnë se britanikët u zgjodhën për operacionin pikërisht sepse Nikulaj nuk do të dyshonte te vizitorë që vinin nga Anglia.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë konfirmoi se ka ndjekur çështjen përmes përfaqësuesve të saj diplomatikë. “Ambasada e Portugalisë në Romë ka ndërmarrë veprime që nga momenti kur mori dijeni për ndalimin e shtetasit portugez Ruben Saraiva dhe Konsulli i Nderit i Portugalisë në Tiranë ka siguruar ndjekjen e seancës së leximit të vendimit, e cila u zhvillua dje (25/03) dhe në të cilën gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për të ndaluarin”, deklaroi ministria.
Po ashtu, autoritetet portugeze sqaruan se mes Portugalisë dhe Shqipërisë nuk ekziston asnjë marrëveshje ekstradimi, marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike apo marrëveshje për transferimin e personave të dënuar, por theksuan se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë.








