Përmbytjet që goditën fshatrat e Sukthit dhe detyruan evakuimin e banorëve kanë vënë nën hetim të drejtpërdrejtë Bashkia Durrës. Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumente zyrtare, ndërsa dyshimet rëndojnë mbi ndërhyrje të paligjshme në argjinaturën e lumit Erzen, të kryera pa leje ndërtimi dhe pa asnjë studim teknik.
Prokurorja Suela Beluli, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedim penal për veprat “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, duke e konsideruar situatën pasojë të drejtpërdrejtë të ndërhyrjeve në shtratin e lumit.
Vendimi i datës 4 shkurt 2026, i firmosur nga prokurorja Beluli, vjen pas përmbytjeve masive, urdhrit për evakuimin e banorëve dhe denoncimeve të shumta publike në rrjete sociale dhe media, të cilat ngritën alarmin për punimet e kryera në argjinaturën e Erzenit.
Sipas burimeve, Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e të gjithë dokumentacionit që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimin dhe marrjen në dorëzim të punimeve për rehabilitimin e argjinaturës, ngritjen e bankinës dhe sistemimin e lumit Erzen, si edhe dokumentacionin tekniko-ligjor të lejes së ndërtimit për këtë objekt.
Ndërkohë, çështja ka marrë edhe dimension politik. Krahas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, zyrtarë të bashkisë, përfshirë kryebashkiaken Emirjana Sako, janë kallëzuar edhe në SPAK nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana. Hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë për një ndërhyrje që dyshohet se solli pasoja të rënda për banorët dhe pronat e tyre.








