Një udhëtim futbolli u kthye në një tragjedi të rëndë njerëzore. Furgoni me tifozë të PAOK të Selanikut, që ishte nisur drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Europa League, u përfshi këtë të martë në një aksident shkatërrues në autostradën pranë qytetit Lugoj, në Rumani.
Bilanci është tronditës. Shtatë persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Mes viktimave është edhe një shqiptar, 29-vjeçari Vasil Pilo, ndërsa një tjetër shtetas shqiptar, Genci Sadiku, ndodhet i plagosur dhe po trajtohet në spital.

Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas kokë më kokë me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta. Pikërisht ky i fundit ishte personi që arriti të njoftojë autoritetet për aksidentin fatal.
Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, duke e bërë edhe më dramatike situatën në vendngjarje. Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin e qytetit Lugoj.
Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës nga 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre të tjerë nga Selaniku. Ata ishin nisur me entuziazëm për të mbështetur ekipin e tyre, por rruga drejt stadiumit u kthye në rrugë pa kthim.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht janë vënë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve të tyre. Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën për të plagosurit.
Dhjetëra tifozë të tjerë të PAOK, që ishin nisur drejt Lyonit, janë kthyer mbrapsht në Greqi pas lajmit tragjik. Ndërkohë, kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga Federata Europiane e Futbollit.
Në mes të kësaj tragjedie mbetet edhe dhimbja shqiptare. Vasil Pilo, tifoz i PAOK-ut, humbi jetën larg shtëpisë, në një rrugë të huaj, ndërsa Genci Sadiku vazhdon betejën për jetën në spital. Një udhëtim pasioni për futbollin u shndërrua në një nga aksidentet më të rënda që ka tronditur komunitetin e tifozëve dhe familjet e tyre.








