Vrasja e Jani Aliajt në Greqi merr kthesë, dyshohet autor tjetër i krimit

Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka hyrë në një fazë të re hetimore, pasi autoritetet greke po shqyrtojnë një version tjetër për autorësinë e krimit.
Sipas hetimeve të deritanishme, dyshimet janë përqendruar te Xhuliano Halili, 44 vjeç, nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm. Burime hetimore bëjnë me dije se Halili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe kishte qelinë pranë tij. Ai rezulton i plagosur gjatë ngjarjes, fakt që ka shtuar dyshimet për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasje.
Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili u vetëdorëzua në polici dhe deklaroi se ishte autori i vrasjes. Megjithatë, autoritetet kanë konstatuar se në trupin e tij nuk janë gjetur shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi person i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili.
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se brenda komunitetit të burgjeve, që në orët e para pas ngjarjes, është përfolur se Halili mund të jetë autori real, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se është paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër fajin. Këto informacione kanë shtyrë policinë greke të thellojë hetimet dhe të rishikojë versionin fillestar të ngjarjes.
Ndërkohë, burime të tjera bëjnë me dije se Jani Aliaj ishte përmendur prej vitesh në dosje hetimore si person i dyshuar për përfshirje në përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, megjithëse këto dyshime nuk janë provuar kurrë zyrtarisht.
Xhuliano Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, konsiderohet si një nga personazhet më të rrezikshëm të botës së krimit në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje me pagesë. Në vitin 2011, në Kalamata, ai akuzohet se vrau Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur, një krim që dyshohet se ishte porositur për larje hesapesh nga krimineli grek Vasilis Varelas.
Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, por u kap disa orë më vonë. Në qershor të vitit 2024, brenda po të njëjtit burg të Koridhalos, ai vrau Alfons Ndocin dhe plagosi një tjetër të burgosur, në një ngjarje që dyshohet se ishte porositur nga jashtë.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së Jani Aliajt dhe për të përcaktuar autorin e vërtetë të krimit.
Lexo më tej
Gazeta austriake: Mjeshtri shqiptar i filmit ‘Odisea’ përfundoi si pastrues plehrash me një pension qesharak
Nga Franziska Tschinderle, PROFIL Kur Vendim Kapaj flet për fyellin e tij, sytë i mbushen me lot. Instrumenti,…
55 ditë protestë zgjuan botën, tani është koha të zgjohet edhe drejtësia: Protesta në SPAK
Prej 55 ditësh, mijëra qytetarë dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë interesin…
“E përdhunuan para kamerave”/ Rama për nënën e moshuar me djalin autik: Protestuesit e përdorën si mburojë politike
Edi Rama ka reaguar për rastin e gruas së moshuar, e cila mori pjesë në protestë së bashku…
Arisa Cane pason Evis Salën, emërimi i dytë nga Spitali Amerikan rikthen në fokus lidhjet e Klodian Allajbeut me institucionet publike
Emërimi i Arisa Canes në drejtimin e shoqërisë shtetërore që administron sterilizimin në spitalet publike rikthen pikëpyetjet për…