Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmë te Ura e Dajlanit në Durrës, ku humbi jetën një vajzë 18-vjeçare dhe mbetën të plagosur tre persona të tjerë.
Viktima është identifikuar si Vikena Greku, ndërsa drejtuesi i automjetit tip BMW X5, Arbër Xhaxhaj, ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi shumë të lartë në aksin Tiranë–Durrës. Sipas testit të alkoolit, ai ka rezultuar me 0.5 mg/l alkool në gjak.
Si pasojë e përplasjes së fortë, janë dëmtuar edhe dy këmbësorë, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet nga vendngjarja treguan dinamikën e aksidentit. Automjeti BMW X5, që lëvizte me një shpejtësi ekstreme, rreth 300 km/h, është përplasur fillimisht me barrierat anësore në Ura e Dajlanit, duke i shkatërruar ato, dhe më pas ka dalë nga rruga duke rënë poshtë. Mjeti ka përfunduar pranë një biznesi lulesh në hyrje të rrugës “Pavarësia”, në zonën e Plazhit në Durrës.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.








