Problemet e vazhdueshme me korrupsionin në menaxhimin e fondeve publike në Shqipëri kanë sjellë një tjetër reagim të fortë nga Bashkimi Europian. Pas pezullimit të fondeve për sektorin e bujqësisë, Brukseli ka vendosur të ngrijë edhe financimet për axhendën dixhitale të vendit, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë vendim me aferën e AKSHI-t.
Sipas tre burimeve të pavarura që kanë folur për Kapitalin, Komisioni Europian ka marrë vendimin për ndërprerjen urgjente të financimeve në sektorin dixhital pas shpërthimit të skandalit që përfshin Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se qeveria shqiptare është njoftuar zyrtarisht për ngrirjen pa afat të këtyre fondeve, me argumentin e mbrojtjes së interesit të taksapaguesve të Bashkimit Europian.
Bashkimi Europian mbështet sektorin dixhital në Shqipëri përmes disa programeve financiare. Gjatë verës së këtij viti, qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e financimit mes Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Komisionit Europian, për programin operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale për periudhën 2024–2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit. Programi “Ekonomia dhe shoqëria dixhitale” ka një buxhet total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro financohen nga BE. Këto fonde tashmë janë ngrirë.
Një tjetër mekanizëm financimi për sektorin dixhital është Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Nëpërmjet tij, Bashkimi Europian financon projektin për pajisjen e 600 shkollave në të gjithë vendin me laboratorë smart. Ky projekt ka një kosto totale prej 44.3 milionë eurosh, ku 14 milionë euro sigurohen në formën e grantit nga BE.
Financimet për axhendën dixhitale janë të përfshira gjithashtu edhe në të ashtuquajturin Plan i Rritjes, përmes të cilit Bashkimi Europian ka angazhuar një paketë prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për momentin, nuk është ende e qartë se sa është në total shuma e fondeve që Bashkimi Europian ka vendosur të pezullojë për Shqipërinë. Megjithatë, ky përbën rastin e dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore kur BE detyrohet të ndërpresë donacionet për vendin, për shkak të dyshimeve dhe fakteve që lidhen me korrupsionin qeveritar.
Situata po kthehet gjithnjë e më shumë në një përplasje të hapur, ku nga njëra anë fondet publike përfundojnë në afera korruptive, ndërsa nga ana tjetër Bashkimi Europian reagon duke bllokuar financimet për të mbrojtur taksapaguesit e tij. Ajo që mbetet e paqartë është se sa do të zgjasë kjo situatë dhe kush do të tërhiqet i pari, në një realitet ku vjedhja e fondeve publike duket se nuk njeh kufij.








