Detaje të reja janë zbuluar për atentatin e 11 nëntorit në Rinas, ku u qëllua me breshëri armësh ndaj makinës ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani ndërroi jetë në spital pas disa ditësh si pasojë e plagëve të rënda.
Edhe pse kanë kaluar dy javë nga ngjarja, krimi i rëndë mbetet ende i pazbardhur dhe asnjë nga autorët nuk është arrestuar. Sipas burimeve të A2 nga grupi hetimor, është zbuluar se për vrasjen e Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, është paguar shuma prej 5 milionë eurosh. Hetuesit dyshojnë se atentati është kryer nga një grup vrasësish me pagesë.
Po sipas të njëjtave burime, dyshohet se ekzekutorët janë rekrutuar nga një person i tretë, i cili ka ndërmjetësuar lidhjen midis tyre dhe porositësve të vrasjes.
Ndërkohë hetimet për atentatin vazhdojnë, ndërsa ngjarja e rëndë rrezikoi edhe jetën e disa qytetarëve të pafajshëm që ndodheshin në zonë.







