Katër telefonat e sekuestruar në banesën e ish drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberit, janë kthyer në një nyje që po thith brenda vetes çdo zyrtar të përfshirë në komunikimet e fshehta të kësaj drejtorie dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Në këto biseda të marra nga aplikacionet Whatsapp dhe Signal, SPAK ka identifikuar qindra kontakte, mes të cilëve del dhe emri i ministres së Infrastrukturës, njëkohësisht zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në telefonat e Berberit janë gjetur mbi 6500 mesazhe, të shkëmbyera midis zyrtarëve, drejtorëve dhe biznesmenëve, duke përfshirë dhe vetë shefen e tij, Belinda Ballukun. Një burim i besueshëm pranë SPAK, i përfshirë në hetimin e një prej dosjeve penale që kanë si objekt zyrtarët e ministrisë, i tha gazetarit Elton Qyno se rasti i Ballukut është “si puna e atij thasit të miellit”. Sipas të njëjtit burim, “sa herë ta shkundësh thesin e miellit, po aq herë del miell”, duke nënkuptuar se shkeljet që lidhen me paracaktimin e tenderave publikë janë të përsëritura dhe të njëjtat në natyrë.
Ndërkohë, hetime të tjera me të njëjtin karakter janë hapur për 6 lotet e mbetura të Unazës së Madhe të Tiranës, pasi mesazhet e kapura përmbajnë indicie se Balluku, Berberi dhe zyrtarë të tjerë kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për të paracaktuar fitues privatë në procedurat e tenderimit. Prokurori i çështjes ka kërkuar dokumentacion shtesë pranë ministrisë dhe ARRSH-së, ndërsa procedimet janë ende në fazë verifikimi.
Gjykata e Posaçme, në vendimin për caktimin e masës së sigurisë “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit”, ka theksuar se zyrtarja e lartë paraqet rrezik potencial për të përsëritur të njëjtat vepra penale për të cilat tashmë është marrë e pandehur në dy raste. Sipas gjykatës, pezullimi është i domosdoshëm për të shmangur çdo kontakt me detyrën, meqë ekziston mundësia reale që të ndërhyjë në proceset tenderuese të tjera.
Paralelisht me këto zhvillime, SPAK ka hapur edhe një procedim penal të ri ndaj Belinda Ballukut dhe ish kreut të Tatimeve, aktualisht deputet i PS, Ceno Klosit. Kjo pason kallëzimin e depozituar nga qytetarja Adriana Kalaja, për të cilin Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka regjistruar procedimin penal Nr.95 të vitit 2025. Materiali kallëzues shtesë është protokolluar më 16.09.2025 dhe po administrohet në kuadër të hetimeve paraprake.
Në 22 nëntor, Gjykata e Posaçme vendosi të vijojë masat e sigurimit ndaj Ballukut për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, për shkak të akuzave për shkelje të barazisë në tenderim për Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me drejtues të tjerë të institucioneve. Po ashtu, u urdhërua vijimi i masës “Arrest në shtëpi” për Erald Elezin, administrator aktual i KESH-it, dhe për drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Në vendimin e saj, gjykata argumenton se këta zyrtarë mund të dëmtojnë provat, të ndikojnë tek dëshmitarët, apo të vijojnë abuzimet me fondet publike, ndërsa shton se ekziston edhe rreziku i arratisjes. Masat e sigurimit, sipas arsyetimit gjyqësor, nuk e pengojnë Ballukun të ushtrojë mandatin parlamentar, por janë të domosdoshme për të ndaluar çdo kontakt të saj me proceset ekzekutive.
Ndërsa pritet që SPAK të publikojë materiale të tjera që lidhen me hetimet në zhvillim, procedimi për kallëzimin e Adriana Kalasë shënon çeljen e një tjetër dosjeje që përfshin Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin, duke zgjeruar më tej rrethin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të ministrisë.
Në këtë klimë të acaruar hetimesh, me dosje të vjetra që po rikthehen nga arkivat dhe me materiale të reja që po dalin çdo ditë, presioni mbi kyçet e vendimmarrjes shtetërore duket se rritet bashkë me numrin e procedimeve që përfshijnë një nga figurat më të rëndësishme të qeverisë së deritanishme.








